Parlamenti i Kosovës nuk ka vendosur ende një datë për mbajtjen e seancës për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, pas shtyrjes së seancës së paralajmëruar për ditën e diel.
Shtyrja u bë për faktin se ende nuk janë siguruar votat e mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjes.
Miratimi i saj kërkon dy të tretat e votave të Parlamentit prej 120 vendesh. Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se nuk do ta votojë marrëveshjen, ndërsa “Lista Serbe” ende nuk e ka bërë të ditur pozicionin e saj.
Qeveria e Kosovës ka votuar tashmë dokumentin, që do t’i shtohet marrëveshjes fillestare. Kryeministri Haradinaj tha të hënën se po punohet që marrëveshja të votohet në Parlament.
“Për mua, kjo marrëveshje dhe ligji për ratifikimin që do t’i kalojë Parlamentit duhet të jenë një dokument dhe duhet të votohen së bashku. Do t’i marrim të gjitha procedurat dhe përgatitjet. Kemi humbur gati 3 vite, e nëse shkon edhe një javë, nuk ka problem. Por duhet të kemi kujdes në përgatitjen e seancës sepse nuk ka kthim prapa. Kemi hyrë në drejtimin e duhur, jemi në proces dhe mund të marrë ndonjë ditë”, tha Haradinaj.
Ai bëri thirrje që marrëveshja të përkrahet nga deputetët. E nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015, ajo është ratifikuar nga Parlamenti i Malit të Zi. Politika në Kosovë është e përçarë lidhur me marrëveshjen, e cila sipas opozitës i fal vendit fqinj 8.000 hektarë tokë. Ratifikimi i marrëveshjes për shenjimin e kufirit me Malin e Zi është vënë kusht nga Bashkimi Europian për liberalizimin e vizave.
Top Channel