Seanca e 10-vjetorit të Pavarësisë, FSK parakalojnë në Prishtinë

18/02/2018 14:01

Seanca solemne e 10-vjetorit të Pavarësisë u mbajt në Kuvendin e Kosovës me pjesëmarrjen e një numri të madh të ftuarish të rëndësishëm, krerë rajonalë e miq ndërkombëtarë të shtetit më të ri të Europës.

Nuk kanë munguar në këtë ditë kaq të rëndësishme për vendin, njerëz që dhanë kontributin e tyre atje, si William Walker, ish-ambasadori i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, kongresmeni i cilësuar si “mik i shqiptarëve” Eliot Engel, e Bernard Kushner, ish-kryeadministrator i OKB-së në Kosovë.

Ky përvjetor çoi në Prishtinë edhe Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta; kreun e Parlamentit, Gramoz Ruçi; kryeministrin Edi Rama; kreun e opozitës, Lulzim Basha; si dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli veçoi transformimin ekonomik, si angazhimin kryesor të institucioneve të vendit.

“Sfida e transformimit ekonomik të vendit është më e lehtë se çlirimi dhe ndërtimi i shtetit. Duhet të veprojmë për të krijuar kushtet e një ritmi tjetër, shumë më të shpejtë e përmbajtësor të zhvillimit ekonomik. Dekada e dytë e pavarësisë duhet të jetë dekada e mirëqenies ekonomike të qytetarëve të Kosovës”, tha Kadri Veseli.

“Ka pasur njerëz që kanë thënë se Kosova kurrë nuk do të jetë vend i pavarur, por nëse e shihni se ku ka qenë ky vend dhe ku po shkon e sa ka arritur, unë them me plot gojën: Urime ditëlindjen Kosovë! Ky vend duhet të ketë ushtrinë e tij krah për krah me Shtetet e Bashkuara, për të ndihmuar paqen në botë”, deklaroi kongresmeni Eliot Engel.

Kreu i ekzekutivit shqiptar kujtoi se, dikur kremtimi i Pavarësisë së Kosovës ishte më shumë një utopi sesa objektiv i arritshëm, e këtu gjeti vend edhe ideja e parealizueshme e momentit, siç u kujdes ta theksonte, e një afërsie edhe më të madhe mes dy vendeve.

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, po pse jo një president simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çfarë është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet”, tha Rama.

Pas seancës solemne, delegacione e zyrtarë nga shtete të ndryshme parakaluan në sheshet e Prishtinës, mes tyre edhe Rama e Walker. Ky organizim, ashtu si dhe parakalimi i Forcave të Sigurisë dhe Policisë së Kosovës, ishin pjesë e aktiviteteve të shumta në kuadër të kremtimeve të këtij përvjetori.

Presidenti Hashim Thaçi shfrytëzoi rastin për të prekur një tjetër çështje, që sipas tij duhet të marrë udhë sa më parë.

“Herën e fundit kur kishim një parakalim të FSK-së ishte para 4 viteve. FSK-ja i kishte kryer të gjitha përgatitjet për t’u transformuar në Forcë të Armatosur të Kosovës. Fatkeqësisht, ne si politikë e Kosovës nuk ishim në gjendje që t’i përcjellim si duhet në hapa Forcat e Armatosura të Kosovës, por tani gjërat kanë ndryshuar në Kosovë. Si Presidenti i Kosovës jam i vendosur që shtetin e Kosovës ta bëjmë me ushtrinë e tij dhe sa më shpejt është e mundur”, tha Thaçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA