Mes emrave të dekoruar nga Presidenti Hashim Thaçi me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ishte edhe ai i akademikut Rexhep Qosja.
Por, Akademiku e refuzoi medaljen. Ai thotë se u vu në dijeni se ishe dekoruar prej mediave dhe pasi vlerëson rëndësinë e medaljes me rastin e dekadës së parë të Pavërësisë së Kosovës, rendit arsyet se përse zgjodhi të mos e tërheqë atë.
Rexhep Qosja: Pse e refuzoj?
E refuzoj sepse është çmimi i dhënë prej një regjimi, i cili me politikën e brendshme dhe me politikën e jashtme i ka sjellë dhe po i sjell shumë dëme dhe komprometime shtetit të Kosovës sot.
Kam shkruar qindra e qindra faqe të botuara në librat e mi dhe kam dhënë shumë e shumë biseda e deklarata disa prej të cilave janë botuar dhe emetuar në një varg mediesh të shtypura dhe elektronike në Europë e në SHBA, në të cilat kam shquar domosdonë dhe rëndësinë kombëtare, historike dhe etike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftës së saj çlirimtare.
E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre të huajve që e quanin terroriste!
E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre tanëve që e quanin kur grup terrorist, kur grup individësh të frustruar, kur dorë të zgjatur të Serbisë.
E kam mbrojtur UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare dhe prej atyre që edhe në ditët kur masakroheshin familje shqiptare e digjeshin shtëpitë e tyre organizonin zgjedhje që i quanin “të lira dhe demokratike”, duke e bërë ashtu të ligjshëm regjimin e dhunës e të terrorit të Millosheviqit në Kosovë!
E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre tanëve që në asnjë mënyrë dhe nën kurrfarë kushtesh nuk dëshironin që në delegacionin shqiptar për bisedime me përfaqësues të pushtuesit apo me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare të merrnin pjesë edhe përfaqësues të UÇK-së!
E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre tanëve që nën kurrfarë kushtesh nuk ishin të gatshëm të pranonin qeverinë e përkohshme për të cilën tri organizimet tona ishim marrë vesh në Rambuje!
E kam mbrojtur UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare prej atyre që me kryetarin e Serbisë do të nënshkruajnë Marrëveshje për krijimin e Qeverisë kuislinge në prill të vitit 1999!
Dhe, duke mbrojtur UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare prej kundërshtarëve dhe prej armiqve të jashtëm e të brendshëm unë natyrshëm kam mbrojtur edhe të parët e sotëm të Kryesisë, të Kuvendit e të Qeverisë së Kosovës, që me bashkëpunëtorët e tyre e sundojnë Kosovën edhe kur janë, por edhe kur s’janë në krye të institucioneve të saj!
Them kështu sepse sundimi i tyre shtrihet në mënyra të ndryshme, të dukshme e të padukshme, me mjete të lejueshme e të palejueshme!
Por, ja, pas luftës, ata nuk janë ata që ishin dhe nuk janë as me dëshirat e as me idealet e tyre.
Gatishmërinë e sakrificës e kanë zëvendësuar me përkushtimin ndaj përfitimeve!
Idealin e lirisë e kanë zëvendësuar me idealin e pasurisë!
Idealin e bashkimit kombëtar, të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e kanë zëvendësuar me idealin feudal të kombit kosovar!
Domethënë: lartësinë e treguar në luftë e kanë zëvendësuar me mjerim material dhe karrierist të treguar në paqe!
Por, sjelljet politike, të pashmangshme, të natyrshme, që bënë ata në paqe e do të bënin edhe të tjerë në vendin e tyre, u mbuluan prej shumë e shumë të këqijave, dëmeve që i sollën e po i sjellin Kosovës në paqe!
Ata sot shikohen dhe gjykohen mosdurueshëm prej numrit më të madh të bashkëkombësve, që e kanë kokën për të menduar të pavarur me të.
Pse jo.
Duke qenë në pozita të larta politike ata u pasuruan, u bënë milionerë kushedi të safishtë shumë shpejt!
Ata shumë shpejt i pasuruan vëllezërit, motrat, në përgjithësi familjarët!
Ata shumë shpejt, duke qenë në pozita, i pasuruan, i bënë milionerë shumë nga bashkëpunëtorët e tyre!
Nga pozitat e tyre ata nuk e panë popullin, nuk i panë punëtorët, nuk i panë të varfrit, nuk i panë të braktisurit, të nënçmuarit!
Nga pozita e tyre ata nuk e panë rininë!
Nga pozitat e tyre ata i panë të heshtur duke u shpërngulur zemërthyer në botën e huaj të rinjtë e skamnorët.
Nga pozitat e tyre ata harruan Kosovën e varfër.
Korrupsionin e përshtrirë e të përthelluar ata e bënë dukuri tragjike që, siç e thonë edhe juristët, që u kanë dalë duarsh, mbrohet edhe me ligj!
Nepotizmin, këtë dukuri primitive në shekullin 21, ata e bënë politikë të punësimit dhe jo vetëm!
Për të sendërtuar më lehtë e më shpejt qëllimet e tyre ata rikthyen censurën në disa media, në disa televizione, më së pari në televizionin publik të Kosovës RTK, i cili cënsurën staliniste të kohës së autonomisë e ktheu në censurë neofashiste të kohës sonë – të kohës së pavarësisë!
Me punësimin e familjarëve, të afërmve, miqve, partiakëve; me lartësinë e rrogave të të parëve, të nënkryetarëve, të ministrave, të zëvendësministrave, të zëvendëskryeministrave, të këshilltarëve, të truprojave të tyre, më të larta se të tjerëve në Ballkanin Perëndimor; me nga disa rroga të njerëzve të tyre të shpërndarë në institucione e në borde të ndryshme ku duhet ta bëjnë ligj fjalën e tyre ata; me pensionet e veçanta për të gjithë zyrtarët; me privilegje të veçanta të realizuara qoftë edhe përmes udhëtimeve për turizëm e qejfe në botën e jashtme; përmes përdorimit privat të automjeteve zyrtare, të drekave e darkave të paguara me paratë e taksapaguesve; me celularët e tyre shtetërorë, me censurën, me të gjitha këto e shumëçka tjetër ata e bënë shtetin e Kosovës shtet privat të tyre!
Kosovën e të gjithëve, Kosovën e lirë e të pavarur, që menduam se është shtet i të gjithë neve, ata e bënë shtet privat edhe me ato marrëveshjet që nënshkruan si i nënshkruan, pa këshilluar Kuvend, studiues, juristë, historianë: Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe, Marrëveshjen për Vijën Kufitare me Malin e Zi dhe Gjykatën Speciale. Kur u dolën si u dolën punët marrëveshjesore ata e filluan lojën tragjikomike me arsyetime, mohime, pohime e mashtrime, që e tregojnë nivelin e tyre të ulët dhe etikën e tyre politike të paqenë edhe prej një ane prej së cilës nuk e tregojnë të këqijat e tjera që ia solli Kosovës regjimi i tyre!
Me të gjitha këto dhe me një varg të tjerash me të cilat nuk mund të merrem në këtë shkrim, ata sot janë bërë shkaktarë të çoroditjes politike e të degradimit të shumanshëm të Kosovës, që ia ka shëmtuar e rrënuar pamjen në Evropë e në botë përgjithësisht, duke sjellë edhe një izolim të saj, që mund të ketë çmim të shtrenjtë! Dhe, ky izolim i saj u pa edhe prej shpërfilljes nga shtetet evropiane dhe BE-ja në kremtimin e 10-vjetorit të Pavarësisë.
Krijimtaria ime historiko-letrare, historike, letrare artistike e publicistike dhe veprimtaria ime politike më obligojnë që të them:
NUK E PRANOJ DEKORATËN E PARË DHE TË FUNDIT QË MË JEPET PREJ REGJIMIT TË TYRE!
Dhe, nuk e pranoj sepse pajtimi me një dekoratë të dhënë prej një regjimi të tillë është në kundërshtim me mendësinë time,me konceptin tim për demokracinë, me domethënien, me humanizmin dhe me etikën sociale të krijimtarisë sime shkencore, publicistike e letrare artistike.
Top Channel