Futbolli në Kosovë ka filluar shumë vite përpara pavarësisë së shtetit, megjithatë vetëm pas shkëputjes nga Ish-Jugosllavia, komuniteti i futbollit vendas arriti të formojë një skuadër të cilën e konsideruan si përfaqësuese duke zhvilluar fillimisht ndeshje miqësore me klube, pasi me kombëtare te tjera ishte e pamundur.
Nga viti 2008 ka filluar zyrtarisht edhe kërkesa ligjore e Federatës së Futbollit të Kosovës që të kërkojë zhvillimin si fillim të ndeshjeve miqësore e më pas njohjen e plotë nga FIFA dhe UEFA.
Bisedimet kanë qenë të gjata dhe të zhvilluara në formë lobimesh, nga njëra anë presidenti aktual i FFK, Fadil Vokrri dhe nga ana tjetër Federata Shqiptare e Futbollit, por rezistenca e Serbisë edhe në aspektin sportiv, për të mos e njohur përfaqësuesen e futbollit të Kosovës ishte e madhe.
Presioni i Federatës Serbe arriti deri të kthejë mbrapa vendimin e vitit 2013 të FIFA-s, ku në fillim u lejua Kosova e më pas, organizmi i futbollit botërorë vendosi të tërhiqej momentalisht. Gjithsesi, kjo ishte një rruge pakthim, një vit më pas, në 2014-n përfaqësuesja e futbollit të Kosovës lejohet fillimisht të zhvillojë ndeshje miqësore me anëtarët e tjera të FIFA-s, por pa simbolet kombëtare, gjithsesi, një hap shumë i rëndësishëm që solli debutimin në një miqësore zyrtare të Kosovës me Haitin e zhvilluar në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës.
Dy vite me pas në maj të viti 2016-të përfaqësuesja Kosovës njihet zyrtarisht si fillim nga UEFA dhe më pas si anëtarja e 2010 e FIFA-s. Kjo i dha mundësinë përfaqësueses së Kosovës që te marrë pjesë për herë të parë në historinë e saj edhe në eliminatoret e një kampionati botërorë, si ato te “Rusi 2018”.
Ndonëse si ekip më vete nga kombëtarja Shqiptare, përfaqësuesja e futbollit të Kosovës ndeshjet zyrtare ndërkombëtare i ka zhvilluar si pritëse apo në shtëpi, në “Loro Boriçi” të Shkodrës, ne pritje te përfundimit te punimeve ne stadiumin e Prishtinës.
Top Channel