Presidenti i Skënderbeut Ardian Takaj, reagoi ndaj lajmit për kërcënimin ndaj inspektorëve të UEFA që janë duke hetuar klubin për trukime ndeshjesh.
Në reagimin e tij, Takaj i cilëson ato si sajesa ndaj klubit “Skënderbeu”.
Nëpërmjet një postimi në profilin zyrtar të Skënderbeut në Facebook, Takaj deklaroi se klubi i tij nuk ka asnjë lidhje për kërcënimet e bëra ndaj inspektorëve të UEFA dhe se inkurajon organet ligjzbatuese për zbardhjen e kësaj historie. Në të njëjtën kohë Takaj deklaroi se do të shkojë deri në intancat më të larta të drejtësisë sportive e atë penale për të rrëzuar akuzat.
“Në emër të klubit ju siguroj se do të vazhdojmë rrugëtimin tonë e tonë për të realizuar objektivat sportiv të klubit, por tani na lind dhe detyrimi për të mbrojtur nderin dhe sukseset e arritura deri më sot. Ju sigurojmë së do të shohim përpara për suksese edhe më të mëdha”, shprehet ai.
Në lidhje me hetimet ndaj Skënderbeut foli edhe Drejtori i partizanit, Olsi Rama që tha se e gjithë kjo dëmton futbollin shqiptar
“Ndjej keqardhje për dënimin e kërkuar nga UEFA sepse shkon në dëm të futbollit shqiptar. është një pasqyrim i futbollit tonë në arenën ndërkombëtare. Fatkeqësisht kjo është pasqyra e futbollit tonë”, u shpreh Olsi Rama.
Reagim zyrtar i presidentit Ardjan Takaj
Të dashur tifozë bardhekuq dhe sportdashës të KF Skënderbeu shpreh keqardhjen dhe shqetësimin tim nga “bombardimi” që po i bëhet opinionit publik me lajme dhe sajesa ndaj në emër të Klubit të Futbollit ‘Skënderbeu’ kërkoj të sqaroj edhe njëherë se:
– KF Skënderbeu siguron UEFA-n dhe të gjithë partnerët e saj se nuk ka asnje lidhje apo dijeni për kërcënimin që mund të jetë bërë ndaj personave që po hetojnë klubin tonë. Garancia më e madhe është historia e klubit tonë dhe natyra e qytetit që perfaqësojmë.
– Në emër të klubit dua të inkurajoj edhe njëherë organet ligj-zbatuese për zbardhjen e çështjes dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të autorëve të vertetë të kesaj ngjarje.
– KF Skënderbeu siguron të gjithë opinionin sportiv dhe në mënyrë të veçantë tifozërinë tonë se po ndjek me vëmëndje dhe qetësi hetimin e nisur nga kompani, që kërkojnë të justifikojnë milionat që perfitojnë nga UEFA dhe “klani” anti-Skënderbeu në vendin tonë. Sigurojmë se akuzat e tyre do të rrezohen një e nga një, dhe nëse do të jetë e nevojshme deri në shkallën më të lartë të gjykimit sportiv ose penal.
– Si përfundim në emër të klubit ju siguroj se do të vazhdojmë rrugëtimin tonë e tonë për të realizuar objektivat sportiv të klubit, por tani na lind dhe detyrimi për të mbrojtur nderin dhe sukseset e arritura deri më sot. Ju sigurojmë së do të shohim përpara për suksese edhe më të mëdha.
Top Channel