Kërcënimi i inspektorëve të UEFA-s, FSHF: Distancohemi nga ngjarja

16/02/2018 21:19

Federata Shqiptare e Futbollit ka dënuar kërcënimet ndaj inspektorëve të UEFA-s për rastin e Skënderbeut.

Me anë të një deklarate të publikuar në faqen e saj zyrtare, FSHF inkurajon autoritetet policore për të zbardhur deri në fund origjinën e këtyre telefonatave intimiduese dhe të dënueshme.

Më tej FSHF shprehet e angazhuar maksimalisht në betejën kundër ndeshjeve të fiksuara, duke theksuar se mbetet në solidaritet të plotë me UEFA-n në misionin e përbashkët kundër fenomenit të trukimit,

Deklarata e plotë e FSHF
Federata Shqiptare e Futbollit distancohet plotësisht nga ngjarja më e fundit ku persona anonimë kanë cënuar integritetin moral dhe kanë shantazhuar inspektorët e UEFA-s në punën e tyre investigative.

FSHF inkurajon autoritetet policore për të zbardhur deri në fund origjinën e këtyre telefonatave intimiduese dhe të dënueshme. Si në çdo moment, edhe këtë radhë ajo është e gatshme të bashkëpunojë me UEFA-n dhe me autoritetet përkatëse për zbardhjen sa më shpejtë të ngjarjes e cila duhet të vërë përpara përgjegjësisë ligjore autorët.

FSHF shprehet e angazhuar maksimalisht në betejën kundër ndeshjeve të fiksuara. Federata e futbollit mbetet në solidaritet të plotë me UEFA-n në misionin e përbashkët kundër fenomenit të trukimit, duke ofruar çdo potencial të sajin bashkëpunues.Të tillë mekanizma kërcënues kanë vetëm një fund të sigurtë, atë të ndëshkimit nga forca e ligjit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA