“Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës” ishte mesazhi i qartë i ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, në Kosovë.
“Vetëm kështu ajo do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian”, shtoi shefi i diplomacisë gjermane, në konferencën e përbashkët për shtyp të dhënë në Prishtinë me kryeministrin Ramush Haradinaj.
“E theksuam edhe në Beograd se, nëse Serbia dëshiron të ecë në drejtimin e BE-së, duhet të plotësojë kriteret e shtetit ligjor, e natyrisht edhe pranimin e Pavarësisë së Kosovës. Ky është një parakusht për rrugën e tyre për në BE, e për këtë ju mund të llogarisni mbështetjen tonë”, tha Gabriel.
Por edhe Kosova vet, – shtoi më tej Gabriel, – duhet të përgatitet për çështje jo të këndshme që e presin këtë vit.
“Kosova duhet të përballet edhe me çështje si institucionet e specializuara, që duhet të trajtojnë krimet e mundshme të luftës. Më gëzon ajo që dëgjova se ka vullnet për t’u zgjidhur edhe çështja e Demarkacionit me Malin e Zi. Ne e mbështesim këtë, sepse është në të mirë të qytetarëve të Kosovës, duke qenë se me plotësimin e këtij kriteri do të ketë liberalizim të vizave”, tha Gabriel.
Ndalesa e kryeministri malazez, Duško Markoviç, në Prishtinë duket se ka pasur efekt në këtë drejtim.
Gjatë takimit me të, edhe kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli kërkoi ratifikimin e Demarkacionit dhe nevojen që përveç integrimit euroatlantik, Kosova dhe Mali i Zi të punojnë ngushtësisht edhe për forcimin e raporteve të tyre ekonomike.
Më herët, Haradinaj shprehu besimin se do të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.
Top Channel