David Schwendiman, prokuror i Gjykatës Speciale të ngritur për të hetuar e gjykuar krimet e mundshme gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, do të largohet nga detyra më 31 mars.
Në fakt ai as nuk po dorëhiqet dhe as nuk po shkarkohet, por siç thekson në një deklaratë të dhënë këtë të enjte, largimi i tij nga Haga në muajin prill, kur do të zëvendësohet nga Kwai Hong Ip, vjen për shkak të skadimit të emërimit të tij 3-vjeçar si oficer i lartë i shërbimit të jashtëm në Departamentin amerikan të Shtetit.
“Kjo do të ndodhë sepse Administrata amerikane nuk mund të bëjë përjashtim për statusin tim, si pensionist i rimarrë në shërbim. Kjo është diçka që ligji nuk më lejon të ndryshoj, pavarësisht nga sa shumë mund të dëshiroj unë të qëndroj”, u shpreh Schwendiman.
Ai theksoi gjithashtu se largimi i tij i shpejtë nuk paraqet një ndryshim në politika ose zotime ndaj punës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga ana e SHBA-ve, Bashkimit Europian, apo nga bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi.
“Përkundrazi, shpejtësia me të cilën Bashkimi Europian ka reaguar për ta filluar kërkimin për Prokurorin e Specializuar të ri tregon fuqinë e përkrahjes së tij, po ashtu si përgjigjja e gjithanshme vetëm disa javë më parë ndaj përpjekjes për ta shfuqizuar ligjin, i cili kishte krijuar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e
Prokurorit të Specializuar, tregoi vendosmërinë ndërkombëtare dhe mbështetjen për ne”, tha ai.
Schwendiman shpjegoi më tej se barra më e rëndë në ndonjë zyrë prokurori bartet nga personeli në zyrë dhe jo nga përgjegjësi që e drejton, duke shtuar se kjo nuk do të ndryshohet në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kwai Hong Ip, zëvendësi i Schwendiman, do të marrë përsipër detyrën si Prokuror i Specializuar i Përkohshëm që të sigurohet vazhdimësi.
Schwendiman pati gjithashtu një mesazh shumë të qartë në lidhje me hetimet, të cilat ai kryeson aktualisht.
“Asnjëri nga përgjegjësit për krimet e përfshira në mandatin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe të Dhomave të Specializuara nuk duhet të mendojë për asnjë moment, që largimi im ka të bëjë me një mungesë zotimi ndaj hetimeve. Një parim kryesor i punës sonë ka qenë gjithmonë përgjegjësia individuale, duke mbajtur njerëz përgjegjës për veprat e tyre, për çfarë kanë bërë si individë. Puna jonë asnjëherë nuk ka qenë për ndryshimin e historisë, ose për të veçuar grupe të caktuara për dënim. As kjo nuk do të ndryshohet, kur një Prokuror i Specializuar i ri do të marrë përsipër detyrën”, tha ai.
Schwendiman u emërua Prokuror i Specializuar në shtator të vitit 2016, pasi kishte shërbyer si Kryeprokuror i “Task Forcës” Hetimore Speciale që nga maji i vitit 2015.
Top Channel