“UNMIK-u do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë”, thotë zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Nju Jork, një lëvizje kjo e kundërshtuar nga Kosova.

I pyetur nga “Deutsche Welle” për fundin e misionit, Stéphane Dujarriç tha se, për sa kohë mandati i Këshillit të Sigurimit vazhdon, atëherë UNMIK-u nuk largohet.

Përfaqësues të lartë të politikës në Kosovë kanë kërkuar që misioni ta përfundojë angazhimin e tij në Kosovë.

Zëvendësministri Enver Hoxhaj tha të martën, në një konferencë organizuar në Nju Jork me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, se “UNMIK e ka përfunduar praktikisht misionin e tij dhe se do të ishte mirë që forcat dhe burimet të përdoren në vende të tjera të botës, që kanë më shumë nevojë sesa Kosova”.

Por, sipas konsulles së Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatçija, Moska nuk lejon që të bëhet ndërrimi i destinacionit të këtij misioni “paqeruajtës”.

UNMIK-u ka aktualisht 342 punonjës në Kosovë, përfshirë këtu edhe punonjësit lokalë. Pjesa më e madhe e tyre operojnë në pjesën veriore të Kosovës, të banuar kryesisht nga serbë.

Misioni i UNMIK-ut në Kosovë bazohet në “Rezolutën 1244” të OKB-së, rezolutë me afat të hapur, pra pa kufizim kohor. Qëllimi i misionit ka ndryshuar me ndryshimin e realiteteve në Kosovë. Por, dhënia fund e misionit duhet vendosur nga Këshilli i Sigurimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA