Përmes një reagimi në Facebook, Vetëvendosje e bëri të qartë arsyen e reagimit të saj të ashpër ndaj heqjes së flamurit kombëtar në zonën e Prishtinës, të njohur si “Te rrethi” dhe zëvendësimin e tij me atë shtetëror të Kosovës.
“Tek ky i fundit nuk gjen as historinë tonë në përmbajtje dhe as demokracinë plebishitare në aprovim. Nuk zëvendësohet flamuri i kuq me shkabën e zezë dykrenare në mes, me flamurin që për kritere dizajni ka përjashtuar të kuqen e të zezën. Flamuri zyrtar i ka vendet e veta ku duhet të ngrihet, siç parashikohet në ligj, po ashtu siç i ka dhe vendet e parashikuara për raste festash. Por në asnjë ligj apo rregullore nuk parashikohet që të ngrihet flamuri zyrtar te rrethi “Idriz Seferi”, në hyrje të Prishtinës, as në përditshmëri e as në raste festash”, thuhet në reagimin e VV-së.
Ndryshimi i flamurit ishte kthyer në objekt debatesh të forta në rrjetet sociale. Pas vjedhjes së atij të menduar të vendosej fillimisht, për momentin është lënë një flamur më i vogël. Urdhrin për lëvizjen polemizuese e dha kryeministri Ramush Haradinaj, siç e pohoi edhe numri dy i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli.
“Nuk merret leja prej Komunës së Prishtinës për zhvendosjen e këtij flamuri, mirëpo merret leja për vendosjen e një shtylle tjetër kudoqoftë në këtë vend, ose në një vend tjetër. Kjo shtyllë është në pronësi të Komunës së Prishtinës dhe si e tillë do të duhej të ishte këtu”, tha Selim Pacolli, nënkryetar i Prishtinës.
Por komenti i tij se qeveria ka të drejtën të vendosë për zbukurime në 10-vjetorin e pavarësisë nuk është pritur mirë nga qytetarët e pranishëm, që nisën të thërrisnin “turp” dhe e ndoqën deri te makina, ku debatuan fort me të.
Top Channel