Kampionëve në fuqi të Shqipërisë u ka mjaftuar një gol me kokë nga Guri që në minutën e 4-t të takimit të kthimit të çerekfinaleve të Kupës, për të eliminuar kryeqytetasit e Tiranës, që si kurrë më parë këtë vit militon në Kategorinë e Parë.
Ndeshja e parë mes këtyre dy ekipeve në “Selman Stërmasi” kishte përfunduar në barazim 1-1, e megjithëse u gjendën në disavantazh shumë shpejt, bardheblutë i mbajtën shpresat gjallë deri në sekondat e fundit të ndeshjes, pasi në rast goli do të kishin shtyrë përballjen në kohët shtesë.
Tre minuta nga fundi i ndeshjes në “Zeqir Ymeri”, Kukësi do të shënonte sërish me Bakajn, autor i krosimit-asist për golin e parë, por goli nuk u konsiderua nga arbitri i ndeshjes. Ndërsa Tirana drithëroi të pranishmit në stadium me goditjen e shtyllës në minutën e fundit të kohës së rregullt, pas një rrëmuje në zonën e verilindorëve, por nuk mundën të bënin më shumë sesa kaq.
Ndërkohë, edhe ndeshja e dytë e zhvilluar në Gjirokastër, mes Luftëtarit dhe Laçit, përfundoi me fitoren e kurbinasve, 0-1, falë golit të shënuar nga Rexhinaldo, por kualifikimi këtu ishte thuajse i mbyllur pa filluar takimi, për shkak të fitores së pastër 3-0 që Laçi kishte siguruar në përballjen e parë.
Në orën 17 pritet të fillojnë edhe dy takimet e tjera çerekfinale, mes Partizanit e Flamurtarit dhe Skënderbeut e Teutës.
Top Channel