Interi dhe Mauro Icardi nisën bisedimet për kontratën e re. Ashtu siç ishte parashikuar, menjëherë pas mbylljes së merkatos, drejtuesit e klubit zikaltër hynë në kontakte me Wanda Narën, bashkëshorten dhe njëkohësisht agjenten e sulmuesit argjentinas, megjithatë diskutime konkrete nuk ka pasur ende.
Sipas të përditshmes italiane “Corriere Dello Sport”, Interi po mendon të propozojë një rritje page për sulmuesin me rreth dy milionë euro, nga 4.7 në 6.5 milionë euro në sezon, si dhe disa bonuse të lidhura me objektivat e skuadrës, ndërsa një pikë diskutimi është edhe klauzola e zgjidhjes së saj prej 110 milionë eurosh.
Për momentin, diferencat mes palëve janë të dukshme, duke nisur që nga paga, teksa Wanda kërkon një shumë prej 7 milionë eurosh, e deri te rritja e klauzolës së zgjidhjes së kontratës e jo heqjen e saj.
Shifra e pretenduar në këtë aspekt është 150 milionë euro, që mund të shkojë deri në 200 milionë euro. Por ekziston edhe një opsion tjetër. Nëse do të hiqet klauzola në kontratën e Icardit, atëherë argjentinasi do të rrisë pretendimin e tij për pagën dhe do të kërkojë 8 milionë euro në sezon.
Top Channel