Dy policët e Kosovës, të arrestuar tri ditë më parë nën dyshimin e manipulimit të provave në procesin hetimor të vdekjes së Oliver Ivanoviçit, janë lënë të lirë.

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka dalë në përfundimin se nuk kishte baza të mjaftueshme për t’i dërguar në burg efektivët e komunitetit serb, Zharko Jankoviç dhe Dragisha Markoviç. Ata dyshohen se kanë larguar nga vendi i ngjarjes një gëzhojë plumbi dhe nuk e kanë dorëzuar bashkë me provat e tjera.

Siç theksohet në dosjen e Prokurorisë, kur hetuesit panë filmimet e kamerave të sigurisë vunë re se Jankoviç e kishte marrë gëzhojën dhe e kishte futur në xhep, ndërsa Markoviç, edhe pse dëshmitar i veprimit të kolegut të tij nuk ka reaguar.

Akuza thekson po ashtu se të dy policët kanë lejuar kalimtarët të hyjnë në vendin e krimit. Ajo nuk e ka pritur mirë vendimin e gjykatës, të cilin thotë se do ta apelojë.

Ivanoviç ishte kreu i nismës qytetare “Liri, Demokraci dhe Drejtësi”, kundërshtare e partisë kryesore serbe të mbështetur nga Beogradi, “Lista Serbe”, e cila është pjesë e qeverisë së Kosovës.

Politikani i njohur u qëllua për vdekje para zyrave të partisë së vet në Mitrovicën Veriore më 16 janar. Vrasja e tij u dënua gjerësisht nga zyrtarë të Bashkimit Europian, Serbisë dhe Kosovës.

Ivanoviç, vazhdimisht e kishte përsëritur se ai dhe familja e tij kishte marrë kërcënime dhe kishte kërkuar ndihmë nga Kosova, Serbia dhe të tjerët, por pa asnjë rezultat. Beogradi e shpalli vrasjen një akt terrorizmi dhe kërkoi që të lejohej të merrte pjesë në nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA