Presidenti amerikan, Donald Trump ka uruar Kosovën në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë së vendit. Letra e kreut të Shtëpisë së Bardhë i është dorëzuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie.
Në letër theksohet ndër të tjera se Kosova ka bërë hapa të mëdhenj gjatë kësaj dekade drejt forcimit të sovranitetit dhe demokracisë ndëretnike. Megjithatë, aty thuhet se duhet bërë edhe më shumë punë.
Sipas letrës së publikuar nga presidenti Thaçi në rrjetin social Facebook, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që në dekadën e dytë të ndihmojnë Kosovën për të ndërtuar themelet e forta të parimeve demokratike, bashkëpunimit rajonal dhe sundimit të së drejtës.
Kjo do ta bënte Kosovën të ndërmerrte hapat e nevojshëm e të mëtejshëm drejt integrimit në komunitetin e kombeve perëndimore.
“Ne e shikojmë Kosovën si një partnere të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara, e në këtë rast historik i uroj të gjithë të mirat qytetarëve të Kosovës”, shkruan Trump në letrën drejtuar presidentit të Kosovës.
Letra e plotë:
I nderuar z. President,
Në emër të popullit amerikan, e përgëzoj Kosovën në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së saj.
Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në forcimin e sovranitetit dhe demokracisë shumetnike. Ndërkohë që duhet bërë edhe më shumë punë, ne përgëzojmë përparimin tuaj.Ndërsa vendi juaj po hyn në dekadën e dytë të shtetësisë, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën që të ndërtojë themele të forta të parimeve të përbashkëta demokratike, bashkëpunimit rajonal dhe sundimit të së drejtës. Duke vepruar kështu, Kosova do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt integrimit në Komunitetin Perëndimor të Kombeve.Ne e shikojmë Kosovën si një partnere të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara. Në këtë rast historik i uroj gjithë të mirat qytetarëve të Kosovës.
Sinqerisht,
Donald Trump.
Top Channel