Zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache u përpoq t’i jepte një sqarim spekulimeve mbi deklaratën e tij polemizuese të fundjavës, duke theksuar se qeveria austriake e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se ky është tashmë një realitet.
Por, ai shtoi se Serbia e sheh Kosovën si pjesë të sajën dhe kujtoi “Rezolutën 1244”.
“Problemi i Kosovës nuk është zgjidhur në mënyrë afatgjate. Është e nevojshme që Beogradi e Prishtina të gjejnë një kompromis, asgjë nuk mund të funksionojë njëanshëm”, citon “Novimagazin” i Beogradit të ketë thënë Strache, gjatë konferencës me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiç.
Por vet ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, siç pohon agjencia serbe “Tanjug”, e pohoi hapur se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Vjena zyrtare është e pakthyeshme, duke u përpjekur t’i vërë frè paqartësive.
Numri dy i ekzekutivit austriak mbërriti në kryeqytetin serb në mesin e furtunës së reagimeve që shkaktoi një citim i tij për Kosovën. Gazeta proqeveritare serbe, “Politika” pretendonte se Strache është shprehur se “Kosova është padyshim pjesë e Serbisë”, gjë që binte ndesh me politikën e deritanishme të Austrisë, një ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën, e ka shkaktuar debate të mëdha si jashtë, ashtu edhe brenda kufijve austriakë.
Anëtari i partisë konservatore “ÖVP”, Othmar Karas reagoi me zemërim pas lajmit të intervistës, duke e cilësuar këtë “një sulm të ri kundër rendit të paqes në Ballkan”, i cili e trondit dhe e lë pa fjalë. Edhe Claudia Gamon, nga liberalët e rinj, foli me tone kritike sipas agjencisë gjermane të lajmeve, DPA. “Zëvendëskancelari dhe partia e tij nuk heqin dorë nga fitilat në Ballkan”, ishte komenti i saj.
Ndërsa Lëvizja Paneuropiane e Austrisë thekson se i ka ndjekur “me tundje të fortë koke” thëniet e Straches, të cilit “dukshëm i kanë shpëtuar zhvillimet e kohëve të fundit në Ballkan”.
Por deri më tani nuk është folur për një regjistrim audio të intervistës dhe vet zëdhënësi i Straches, Martin Glier pretendon se zëvendëskancelari nuk e ka dhënë këtë intervistë. Situata e krijuar detyroi Ambasadën e Austrisë në Kosovë të reagojë përmes “Twitter”-it e të garantojë se nuk ka ndryshim të qëndrimit të Vjenës për Kosovën.
Po gjatë fundjavës, mediet serbe pretendonin se ka përpjekje për ta kthyer njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Çekia, por Ministria e Jashtme kosovare këmbëngul se informacionet për tërheqjen e njohjeve janë propagandë e Serbisë.
Top Channel