Humbja e ndeshjes së fundit me Kamzën në kampionat nuk është kapërdirë lehtë nga drejtuesit e skuadrës së Kukësit, të cilët disa orë pas takimit kanë reaguar ashpër me një deklaratë publike në faqen e tyre në Facebook.

Skuadra kampione e Shqipërisë ka sulmuar arbitrin e atij takimi, Enea Jorgji, por edhe Federatën Shqiptare të Futbollit, si rrallë ndonjëherë, duke i konsideruar aleatë të Kamzës për të mundur Kukësin.

Megjithatë, për Peter Pacult, gjyqtarët janë njerëzit që më pak duhet të sulmohen.

“Nuk dua shumë ta komentoj deklaratën e klubit, pasi ai është një vendim i klubit. Të gjithë ata njerëz që i kundërshtojnë arbitrat duhet të bëhen një herë në jetë vet arbitra. Për mendimin tim, arbitrat duhen më shumë të mbrohen sesa të kritikohen. Arbitrat janë ata njerëz, që në të mijëtat e sekondës duhet të marrin një vendim. Më pas vendimet e tyre, edhe ata vet i shohin pas ndeshjes nëse janë të drejta apo jo. Unë mendoj që çdo trajner dhe çdo lojtar këtu duhet të ketë më tepër respekt për arbitrat”, tha Peter Pacult.

Kukësi po përgatitet këto ditë për ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, që do të luajë në Kukës përball Tiranës, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e dy javëve më parë. Si një ndeshje nga ku do të vendoset se cila skuadër do të kalojë më tej, trajneri austriak ka filluar përgatitjet e ekipit të tij edhe për gjuajtjen e 11-metërshave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA