Tension në Siri, Izraeli paralajmëron Iranin pas sulmeve masive

11/02/2018 08:32

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se vendi i tij do të vetëmbrohet “përballë çdo sulmi”, teksa ka zhvilluar së fundi atë që mund të konsiderohen si sulmet më të mëdha ajrore kundër objektivave të caktuar në Siri në dekada të tëra.

“Kjo është e drejta jonë, e njëkohësisht edhe detyra jonë. Ne do të vazhdojmë të bëjmë këtë gjë, për sa kohë të jetë e nevojshme”, tha Netanyahu gjatë së shtunës.

Izraeli nisi sulmet ajrore kundër objektivave iraniane, pasi kishte kapur më parë një “drone” iranian. Prania e Republikës Islamike në Siri ka shkaktuar alarm në Izrael.

Netanyahu paralajmëroi se, politika e Izraelit për t’u vetëmbrojtur “kundrejt çdo përpjekjeje për të dëmtuar sovranitetin tonë” duhet të jetë “absolutisht e qartë”.

“Irani ka shkelur ashpër sovranitetin e Izraelit, – tha ai. – Ata nisën një ‘drone’ nga territori sirian drejt atij izraelit. Izraeli bën përgjegjës Iranin dhe miqtë e tij në Siri përgjegjës për këtë veprim”.

Netanyahu u shpreh më tej se Izraeli do të kundërshtojë çdo përpjekje nga Irani për t’u përforcuar ushtarakisht në Siri, por shtoi ndërkohë, gjatë një takimi me krerët ushtarakë të vendit, se “Izraeli synon paqen”.

Të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur e mbështeti edhe Departamenti amerikan i Shtetit, i cili bëri fajtor Iranin për konfrontimin e padëshiruar në Lindjen e Mesme. Ndërsa përmes një telefonate me Netanyahun, presidenti rus Vladimir Putin theksoi nevojën për të shmangur “përshkallëzimin e rrezikshëm” të situatës. Kreu i Kremlinit ka mbështetur qeverinë e Bashar al-Assadit në luftën civile siriane.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka bërë thirrje për çtensionim të menjëhershëm e ndalim të veprimeve, që sipas tij kërcënojnë një rreth vicioz të rrezikshëm përreth kufijve sirianë.

Por çfarë ndodhi? Ushtria izraelite thotë se një prej helikopterëve të saj ushtarakë kishte rrëzuar një “drone” iranian që kishte hyrë në Izrael ditën e shtunë, duke publikuar edhe pamjet e incidentit. Në kundërpërgjigje, Izraeli sulmoi objektiva sirianë dhe iranianë në Siri, sulme gjatë të cilave një avion “F-16” u qëllua mbrapsht, duke bërë që të rrëzohej. Dy pilotët mundën të katapultoheshin me sukses, përpara se avioni të rrëzohej në një fushë të boshatisur në zonën e Hardufit, në veri të Izraelit.

Izraeli njoftoi më pas se kishte ndërmarrë një valë të dytë sulmesh ndaj objektivave siriane dhe iraniane, duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme. Tel Avivi thekson se ky është “sulmi më domethënës” i këtij lloji kundër këtij vendi që prej luftës libaneze të vitit 1982.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA