Kur Shqipëria dhe Greqia janë shumë pranë hartimit të një marrëveshje të re për kufirin detar, burime në presidencën e Shqipërisë thotë se presidenti Meta nuk ka dhënë lejen, procedurë e detyrueshme me vendim të Kushtetueses. Përndryshe marrëveshja nuk vlen, por nga Ministria e Jashtme thuhet se bisedimet po bëhen mbi parime dhe jo mbi harta.
Një ditë pasi Top Channel zbuloi detajet rreth marrëveshjes së re të detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, burime nga Presidenca në Tiranë pohuan se kreu i Shtetit nuk e ka dhënë plotfuqishmërinë për ekipin negociator shqiptar që të bisedojë për këtë me palën greke, pasi askush nuk e ka kërkuar.
Kërkesa duhet të behet nga Ministria e Jashtme, para se ekspertët të ulen në tryezën mbi hartat për të piketuar kufijtë detarë. Por nga Ministria e Jashtme thuhet se plotfuqishmëria, nevojitet vetëm kur ekipet e të nisë puna me hartën, ndërkohë që aktualisht, bisedimet Bushati-Kotzias dhe stafeve të tyre janë zhvilluar vetëm në nivel politik dhe diplomatik dhe mbi parimet në të cilat do bazohen marrëveshjet që do të hartohen.
Në rastin e kufirit detar, kriteret e dakordësuara janë ato të 12 miljeve dhe të vijës së mesit mes kufirit të të dy vendeve. Top channel tregoi një ditë më parë se nga parimi i 12 miljeve përfitonin Shqipëria dhe Greqia bashkë dhe se matja do niste nga ishujt grekë të banuar në vitin 1913.
Por çfarë do të thotë, mungesë e plotfuqishmërisë. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2009, e cila rrezoi marrëveshjen e parë të detit, Ministria e Jashtme duhet të vinte në dijeni presidentin e asaj kohe dhe të merrte lejen.
Pas atij vendimi, kjo procedurë është e detyrueshme dhe mosrespektimi rrezikon marrëveshja e re. E gjitha kjo po ndodh ndërsa është lajmëruar vizita e kryeministrit grek Tsipras në Tiranë, e cila do shoqërohet edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve të reja strategjike mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Po ashtu më herët ka reaguar edhe ish-presidenti Nishani që thekson se derë më 24 korrik, ditë kur ai i lëshoi zyrën Presidentit Meta, nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga Qeveria për “Plotfuqishmërinë”.
“Deklaroj se deri më 24 korrik 2017 në Institucionin e Presidentit të Republikës nuk është paraqitur asnjë kërkesë nga Qeveria për “Plotfuqishmërinë” ndonëse tashmë shihet qartë se negociatat dhe bisedimet janë zhvilluar edhe përpara kësaj date. Nëse pas kësaj date ka një kërkesë dhe nëse kjo “Plotfuqishmëri” është dhënë apo jo, kjo mbetet për tu mësuar.”, theksohet në reagimin e Nishanit.
Top Channel