SHBA, miratohet me urgjencë buxheti. Rihapet qeveria

09/02/2018 09:31

Kongresi amerikan lëvizi shpejt drejt aprovimit të buxhetit orët e para të së premtes, duke i dhënë fund kështu mbylljes së shkurtër të qeverisë. Projektligji i është dërguar tashmë presidentit për ta firmosur.

Senatorët debatuan gjatë të gjithë natës dhe, pavarësisht zvarritjes që solli ndërhyrja e republikanit Rand Paul, arritën ta aprovonin ripërtëritjen e fondeve të qeverisë federale.

Ligji u miratua disa orë më vonë nga Dhoma e Përfaqësuesve, me 240 vota pro dhe 186 kundër. Dhomës së kontrolluar nga republikanët i nevojitej ndihma e demokratëve për t’i dhënë legjislacionit “dritën jeshile” dhe 73 prej tyre e mbështetën, ndërsa 67 republikanë votuan kundër planit.

Nisma kolosale, – siç e përshkruan CNN, – për të cilën ligjvënësit negocionin prej muajsh, është një ndryshues loje dhe u heq demokratëve pengesat nga rruga për t’u përballur me çështjet madhore të shpenzimeve, shpërndarjen e parave të ndihmës për fatkeqësitë natyrore dhe rritjen e tavanit të borxhit.

Ligji u zvarrit në Senat të enjten mbrëma, sepse kundërshtari i fortë i tij, senatori Rand Paul refuzonte votimin e përshpejtuar e deklaroi se buxheti dyvjeçar do të “plaçkiste Thesarin”.

Demokratët bllokuan në janar një projektligj financimi, duke shkaktuar mbylljen triditore të qeverisë federale, për shkak të afrimit të datës së skadimit të programit “DACA” për emigrantët pa dokumente që kanë hyrë në SHBA në moshë të mitur.

Top Channel