Përdorën superkompjuterin nuklear për Bitcoin, Rusia arreston shkencëtarët

09/02/2018 18:03

Rusia njoftoi se ka arrestuar disa shkencëtarë të të një laboratori nuklear në Sarov, të cilët kanë tentuar të përdorin fuqinë e madhe të kompjuterave shkencorë për të përfituar në monedhat dixhitale Bitcoin.

Të dyshuarit, thuhet në njoftimin e autoriteteve ruse janë përpjekur që të vënë në punë një superkompjuter për ta përdorur atë për të akumuluar kripto-valutën e famshme.

Stafi i sigurisë është vendosur në dijeni të përpjekjes së grupit të shkencëtarëve në momentin që ata e kanë lidhur superkompjuterin me internetin. Ky kompjuter, sipas deklaratës së Shërbimit të Sigurisë Federale, nuk duhej të lidhej me internetin për çështje sigurie.

Agjencia e lajmeve Interfax njofton se ndaj grupit të shkencëtarëve ka nisur një hetim penal. Numri i të arrestuarve nuk bëhet i ditur. Kompleksi nuklear në Sarov është ai ku Bashkimi Sovjetik prodhoi bombën e parë bërthamore.

Monedhat virtuale, siç është edhe Bitcoin, nuk bazohen tek një server i centralizuar, por kushdo me një kompjuter të përshtatshëm mund të gjenerojë monedha të tilla.

Bitcoin është një monedhë dixhitale, e gjeneruar përmes një algoritmi kompjuterik, nuk ekziston fizikisht, dhe nuk ka asnjë autoritet qeverisës apo Bankë Qendrore që rregullon funksionimin e Bitcoin-it. Përmes një sistemi të sofistikuar vlera e Bitcoin është përcaktuar nga kërkesë-oferta në llogaritë që mund të hapen në internet, pra praktikisht një treg i parregulluar.

Që nga emetimi i parë në rrjet në 2009-n e deri disa vite më pas, me 1 dollarë mund të blije me shumë se 3 bitcoin. Koha kaloi dhe kjo monedhë dixhitale tërhoqi pas vetes mjaft persona që i besuan, si alternativë për të investuar paratë, njësoj sikur të blinin ar apo valutat të tjera reale. Kthesa më e madhe këtë vit, kur vlera e Bitcoin është rritur me më shumë se 1600 %.

Top Channel