SHBA, marrëveshje për buxhetin. Evitohet mbyllja e dytë qeveritare

08/02/2018 10:00

Një ditë përpara një rreziku të ri për mbylljen e qeverisë amerikane, udhëheqësit e Senatit arritën një marrëveshje dypalëshe, që do ta mbajë qeverinë federale të financuar për dy vite.

“Por, për tema të debatueshme sikurse emigracioni nuk ka ende një marrëveshje”, raporton “Zëri i Amerikës”.

“Jam i kënaqur të njoftoj se negociatat dypalëshe lidhur me shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe prioritete të tjera prodhuan një marrëveshje të rëndësishme”, tha në Senat kreu i shumicës republikane, Mitch McConnell.

Paketa pritet të rrisë shpenzimet e qeverisë amerikane për mbrojtjen kombëtare dhe programet e brendshme me 300 miliardë dollarë, gjatë një periudhe dyvjeçare, duke i dhënë fund viteve me kufizime të detyrueshme buxhetore, që sipas republikanëve po e tkurrnin ushtrinë amerikane, ndërsa për demokratët po dëmtonin njerëzit në nevojë.

Marrëveshja erdhi në momentet e fundit, ndërsa financimi federal për qeverinë skadonte mesnatën e së enjtes. Nëse financimi nuk zgjatej, qeveria amerikane do të kishte pësuar mbylljen e dytë të pjesshme brenda një periudhe të shkurtër.

Për t’u bërë ligj, paketa duhet të miratohet nga të dyja dhomat e Kongresit dhe të nënshkruhet nga presidenti Donald Trump. Demokratët bllokuan një projekligj të përkohshëm për shpenzimet në janar, duke shkaktuar një mbyllje të qeverisë federale për 3 ditë, që lidhej pjesërisht me kundërshtimin e tyre ndaj mosveprimit të Kongresit në lidhje me programin që tutelon emigrantët, “DACA”, e që pritet të përfundojë më 5 mars.

Top Channel