Alexis Sanchez u bë një nga blerjet më të bujshme të merkatos së janarit, kur braktisi Arsenalin për të luajtur me Manchester United.
Investimi i “djajve të kuq” duket se ka nisur të japë fryte, si në fushën e lojës, ashtu edhe në marketing e në imazhin e klubit.
Sipas drejtuesve të ekipit anglez, shitja e fanellave të sulmuesit kilian ka thyer rekordin e mëparshëm të klubit nga “Old Trafford”, një shenjë se, pavarësisht sforcimit të madh financiar, 29-vjeçari do të jetë një hit, të paktën në terma ekonomikë.
“Alexis Sanchez ka kaluar me tri herë rekordin e mëparshëm të shitjeve të fanellave te Manchester United në merkaton e dimrit. Kjo marrëveshje gjeneroi gjithashtu interes të madh në mbarë botën në rrjetet sociale”, tha shefi i klubit anglez, Ed Woodward.
“Sanchez ishte postimi me më tepër impakt në Instagramin e klubit, e ai që u shpërnda më shumë në Facebook dhe Twitter. Për të treguar se çfarë buje bëri kalimi i Sanchez duhet të nënvizojmë se, njoftimi ynë gjeneroi 75% më shumë sjellje interaktive online, sesa njoftimi për shitjen e Neymar”, shtoi Woodward.
Në një videokonferencë me aksionerët e klubit, zyrtari i Manchester United shtoi gjithashtu se pozicioni i fortë financiar i lejoi ata që të firmosin kontrata faraonike me sulmuesin kilian, si dhe t’i japin trajnerit Mourinho një marrëveshje prej 15 milionë paund në vit.
Top Channel