“Përballja e kryesuesve” në Superiore, Skënderbeu pret Flamurtarin

08/02/2018 15:39

Në javën e 19 të Kategorisë Superiore do të përballen kryesuesit e Skënderbeut me Flamurtarin e vendit të dytë në klasifikim, ndeshja më e rëndësishme e javës nisur jo vetëm nga pozicionet, por edhe forma e mirë që po kalojnë të dyja ekipet.

Në fushën e tyre, korçarët kanë vetëm një barazim 1-1 me Kamzën, e të gjitha të tjerat fitore, por edhe ecuria e vlonjatëve në këtë sezon nuk mbeten më prapa.

Edhe pse 8 pikë diferencë, përpara nisjes për në Korçë trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro thekson se ekipi i tij nuk ka asnjë presion për titullin.

“Ne po zhvillojmë një kampionat shumë të mirë. Jemi në vendin e dytë, por nuk jemi nën presionin e titullit. Duke pasur parasysh se Skënderbeu është skuadra më e mirë e kampionatit shqiptar, kjo do të jetë një ndeshje mjaft interesante pasi luan ekipi i vendit të parë me atë të vendit të dytë”, thotë Shpëtim Duro, trajner i Flamurtarit.

Më pas ai i është rikthyer edhe njëherë listës “non grata” të Flamurtarit për dy arbitra.

“Një arbitër është i padëshirueshëm për ne, Xhaja. Por përsëri do të çojmë një deklaratë në Federatë, që edhe Hamiti nuk duhet të jetë në arbitrim. Të dy i kanë hyrë punëve të pista shumë herët”, shprehet më tej Shpëtim Duro.

Ndërsa te Skënderbeu kërkohet të ruhet vëmendja maksimale, duke qëndruar me këmbë në tokë, pasi Flamurtari është një ekip për t’u vlerësuar.

“Kemi përballë Flamurtarin e vendit të dytë, që është realisht një skuadër e fortë. Por ne luajmë në fushën tonë dhe do të japim maksimumin për të marrë tripikëshin, e për të vazhduar rrugën tonë të qetë”, tha Orges Shehi, portieri veteran i Skënderbeut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA