Lufta ndaj krimit, Xhafaj zbulon takimet me ekspertë të FBI dhe DEA-s

08/02/2018 13:45

Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka zbuluar se ka takuar ekspertë të FBI dhe DEA-s Amerikane për luftën ndaj krimit në vend.

“Takimet e shumta që kemi patur, edhe këto dy ditë në Tiranë, me ekspertë të FBI dhe DEA, për çështje konkrete dhe shumë të rëndësishme, janë shenjë e dukshme e besimit reciprok të konsoliduar mes nesh me këto dy agjenci ligjzbatuese me reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar”, u shpreh Xhafaj.

Fjala e plotë e ministrit Xhafaj

Të nderuar kolegë deputetë, Jemi duke bërë sot një debat shterpë mbi një temë të sajuar, thjesht një përpjekje e re për të devijuar thelbin e vërtetë të problemit që kanë sot qytetarët shqiptar dhe partnerët ndërkombëtarë.

Shqipëria dhe populli shqiptar nuk kanë thjesht një marrëdhënie miqësore me SHBA. SHBA janë parë dhe shikohen akoma më shumë sot nga shqiptarët si vendi i cili, ndoshta si askush tjetër, ka kontribuuar më së pari për qenien e shtetit shqiptar dhe mandej për zhvillimin politik dhe ekonomik të tij.

SHBA janë sot një vend i respektuar dhe i adhuruar për ne shqiptarët. Asnjë qeveri dhe asnjë grup politik, jo vetëm nuk e dëshiron, por as edhe nuk ka mundësi që këtë raport me SHBA ta qasë në kundërshtim me qasjen e popullit shqiptar kundrejt këtij vendi të madh mik.

Përpjekja për të baltosur një miqësi të konsoliduar dhe një marrëdhënie si ajo ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë është dashakeqe. Por duke qenë dashakeqe dhe e pabazuar gjëkundi në rrethana serioze, ajo po kthehet edhe në qesharake. Marrëdhëniet nuk ndërtohen në një ditë të vetme, as nuk cënohen dot nga episode të veçanta. Ato bazohen në vlera dhe qëllime të përbashkëta. Shqipëria sot, po përpiqet të bëjë të sajat shumë nga ato vlera, për të cilat SHBA është avangardë në botë.

Qëndrimi ndaj shtetit të së drejtës dhe vlerave demokratike është edhe investimi real ndaj miqësisë me SHBA dhe respekti real ndaj asaj çfarë SHBA i ka ofruar vendit tonë si mbështetje të pakursyer dhe të pakushtëzuar, në çdo sfidë, hap dhe proces që kemi ndërmarrë me qëllim përparimin tonë në rrugën e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Do të dëshiroja të sillja këtu vetëm dy shembuj, në fakt dy procese madhore të kohëve të fundit, të cilët tregojnë për këtë mbështetje domethënëse të SHBA:

E para, Reforma në Drejtësi, projekti ynë madhor i cili lindi si domosdoshmëri për të rindërtuar sistemin aktual të drejtësisë, bazuar në një kërkesë të fortë popullore, kishte që në fillimet e saj inkurajimin dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, BE dhe veçanërisht të SHBA. Falë edhe mbështetjes e presionit të ushtruar prej tyre, kjo nismë e madhe historike sot është një projekt në zbatim megjithë pengesat e shumta që ju i keni bërë hapur apo tinëzisht këtij procesi.

Reforma në drejtësi ka qenë dhe mbetet kriteri real vlerësues për çdo njërin prej nesh si dhe për vetë forcat politike ku bëjmë pjesë. Të jesh pro reformës në drejtësi, kryerjes së vetingut dhe ngritjes së institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë do të thotë të mbrosh interesat e larta të qytetarëve të vendit tënd dhe të jesh në krah të vlerave e qëllimeve që SHBA mbron dhe mbështet, ndaj miqësisë dhe asistencës së gjithanshme që na ofron.

E dyta, pak muaj më parë qeveria ka prezantuar një plan konkret për luftën kundër krimit të organizuar, operacionin “Forca e Ligjit”, i mbështetur që në fazën e konceptimit të tij nga ekspertët më të mirë të fushës që SHBA ka ofruar në vendin tonë, ashtu sikurse edhe BE, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Franca, etj.

Takimet e shumta që kemi patur, edhe këto dy ditë në Tiranë, me ekspertë të FBI dhe DEA, për çështje konkrete dhe shumë të rëndësishme, janë shenjë e dukshme e besimit reciprok të konsoliduar mes nesh me këto dy agjenci ligjzbatuese me reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar.

Shpesh në artikulimet e mia publike kam theksuar se krimi nuk ka ngjyrë, ai nuk u krijua brenda një muaji dhe as brenda një viti. Vetëm një naiv politik mund të pretendojë të kundërtën. Ne kemi gjithë vullnetin e duhur për ta goditur atë në çdo formë të shfaqjes së tij.

Rezultatet e para, goditja e disa grupeve kriminale kohët e fundit si ato në Shkodër, në Tiranë me aksionin spektakolar të policisë në kapjen në kohë rekord të vrasësit me pagesë, i cili për nga profesionalizmi i treguar është i krahasueshëm më atë të vendeve perëndimore, sekuestrimet e dy ditëve më parë në Lezhë dhe aksioni i gjerë, tejet profesional i Policisë i konkretizuar gjatë natës së mbrëmshme në Elbasan dhe sot gjatë ditës në Shkodër, janë një dëshmi e qartë e rritjes së forcës goditëse të Policisë së Shtetit nëpërmjet përmbushjes së përgjegjësive të saj sipas ligjit.

Dëshiroj t’ju them atyre që e shohin me skepticizëm, se operacioni “Forca e Ligjit”, nuk është thjesht një projekt, ai është sot një realitet i prekshëm dhe do vazhdojë të jetë i tillë në ditët dhe muajt në vijim.

Ndaj jam i vendosur të mbështes Policinë e Shtetit në misionin e saj për rend dhe siguri publike në nivelin më të lartë, të inkurajoj dhe mbështes fort strategjinë e Policisë për goditjen e grupeve kriminale dhe elementëve të lidhur me to, duke dërguar përpara drejtësisë cilindo, i vogël apo i madh qoftë ai. Policia është aty për të bërë pikërisht këtë gjë. Por, ajo duhet mbështetur në këtë betejë të ashpër me krimin.

Marrëveshja e nënshkruar së fundi mes Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme për të koordinuar më mirë veprimtarinë tonë në luftën ndaj krimit të organizuar, e cila për hir të së vërtetës, nuk është e para për këto dy institucione, është një materializim në aspektin teknik dhe organizativ të marrëdhënies Prokurori-Polici, marrëdhënie e cila është e sanksionuar plotësisht nga legjislacioni procedural penal.

Nuk ka deliruar akoma askush nga Policia, Prokuroria, apo edhe Ministria e Brendshme për të bërë atë çfarë ata që janë kundër kësaj marrëveshje po e thonë këto ditë. Ajo marrëveshje nuk krijon norma të reja juridike për veprimtarinë e Prokurorisë dhe Policisë. Ju faleminderit!

Top Channel