Tërmeti në Taivan, 4 persona të vdekur e mbi 200 të plagosur

07/02/2018 08:32

Lëkundje të tjera toke goditen Taivanin pas tërmetit të magnitudes 6.4, që vrau të paktën 4 vetë e plagosi mbi 200 të tjerë. Më shumë se 140 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur në qytetin e Hualienit.

Banorët janë këshilluar t’u qëndrojnë larg ndërtesave të dëmtuara, e rreth 800 vetë po strehohen aktualisht nëpër godina të komunitetit. Pamjet që mbërrijnë nga qyteti mjaft popullor në mesin e turistëve tregojnë godina të anuara keqas, pirgje inertesh e dëmtime të mëdha në rrugë.

Tërmetet nuk janë një fenomen edhe aq i pazakontë për banorët e Hualienit, por ai i së martës, më i forti prej vitesh të tëra, ishte veçanërisht shokues.

“Është hera e parë në jetën time që përjetoja një gjë të tillë. Nuk dija çfarë të bëja, mendimi i parë që më erdhi në kokë ishte të fshihesha poshtë krevatit. Në fund, bashkë me të afërmit e mi dhe fqinjët dolëm jashtë me vrap”, tha një banor.

“Kur ra tërmeti, ne e kishim ende restorantin hapur. Nuk u mendova gjatë, por rrëmbeva gruan e fëmijën e dolëm në rrugë. Pas kësaj u përpoqa të shpëtoja edhe njerëz të tjerë”, tha një pronar restoranti.

Ekipet e ndërhyrjes së shpejtë, të ndihmuar edhe nga trupat e ushtrisë, punuan përgjatë të gjithë natës për të gjetur të mbijetuar dhe arritën të nxirrnin rreth 150 persona nga banesat e dëmtuara, por lëkundjet e mëpasshme të tokës i kanë vështirësuar së tepërmi përpjekjet e shpëtimit.

FOTO GALERI
7/24

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA