Ermal Meta dhe Fabrizio Moro, superfavoritët e “Sanremos”, rrezikojnë skualikimin. “Nuk kanë arritur ende të performojnë, por kërcënohen që tani me heshtje”, shkruan “La Stampa”.
Dyshja e shumëvlerësuar është gjendur në mesin e një stuhie mediatike për shkak se kënga e tyre, “Non mi avete fatto niente” ka ngjashmëri të mëdha me “Silenzio”-n e prezantuar në “Sanremo Giovani” të vitit 2016, nën interpretimin e Ambra Calvani e Gabriele De Pascali.
Shkaku i kësaj ngjashmërie është shumë i thjeshtë: autori i të dyja këngëve është i njëjti person, Andrea Febo. Pikat e përbashkëta janë të shumta dhe gjenden si në tekst, ashtu edhe në melodi. Fakti që kënga është krijuar nga e njëjta dorë përjashton plagjiaturën, çështja është se publiku e ka dëgjuar edhe më parë, e kjo sipas rregullave nuk lejohet.
Shtypi italian citon disa fjali të tekstit si “nuk më keni bërë asgjë, nuk më keni hequr asgjë, kjo është jeta ime që vazhdon përtej çdo gjëje dhe përtej njerëzve”, të cilët janë krejtësisht njësoj.
Rregullorja e Festivalit e dikton që këngët të jenë të reja, jo të komercializuara dhe të mos jenë ndjekur më parë nga publiku. Tani pritet vendimi i organizatorëve dhe i atij që disa prej faqeve “online” në fqinjin e përtej Adriatikut e përshkruajne si “diktatorin artistik” të Festivalit, për nga rreptësia që e karakterizon, Claudio Baglioni.
Top Channel