Plot 57 milionë euro për të sponsorizuar fanellën e stërvitjes.
Sipas asaj që publikon “Mundo Deportivo”, këtë shumë të majme pritet ta fusë në arkat e saj Barcelona, nga firma turke e elektroshtëpiakeve “Beko”, marka e së cilës shfaqet momentalisht në fanellat e ndeshjeve në krahë, dhe në bluzat e stërvitjes pas shpine.
Akordi parashikon derdhjen e 19 milionë eurove në sezon, e janë një shumë më tepër të hollash për arkën e ekipit blaugrana, sepse ka të bëjë edhe me pjesën e përparme të fanellës, që deri më tani ishte bosh.
Klubi katalanas synon të arrijë objektivin e 900 milionë eurove të ardhura sezonale, në një periudhë afatshkurtër, një domosdoshmëri edhe për shkak të rinovimit prej 104 mln eurosh në sezon me Lionel Messin. Për Barçën është çështje fundamentale ekuilibri mes shpenzimeve kolosale për pagat dhe të ardhurave.
Gjithsesi, Barcelona është ende e hapur për atë që mund të konsiderohet edhe si “gjahu më i madh”, apo thënë ndryshe në kërkim të sponsorit që do t’i japë emrin e ri stadiumit “Camp Nou”. Sipas “Mundo Deportivo”, akordi mes “Beko”-s dhe katalanasve do të prezantohet zyrtarisht javën e ardhshme, me kompaninë turke që bëhet sponsori i tretë kryesor i klubit, pas “Nike” dhe “Rakuten”.
Top Channel