Babai sulmon në gjykatë pedofilin që i ngacmoi vajzat (Video)

02/02/2018 19:27

Një baba, tre vajzat e të cilit janë ngacmuar seksualisht nga Larry Nassar, u përpoq të sulmonte në sallën e gjyqit pedofilin, pasi i kishte kërkuar gjykatës që ta linte vetëm në një dhomë me të për 5 minuta.

Kur gjykatësja nuk e pranoi këtë kërkesë, ai i tha që ta linte vetëm një minutë. Pasi nuk iu pranua edhe kjo kërkesë, ai u sul drejt zonës ku po qëndronte i pandehuri me grushtin ngritur, por punonjësit e sigurisë e ndaluan duke e shtrirë në tokë e duke i vënë prangat.

“Më lini një minutë vetëm me atë bastard. Ma lini atë bir k…”, dëgjohej duke thënë babai i nënshtruar nga forcat e sigurisë.

Ish-mjeku i ekipit kombëtar amerikan të gjimnastikës, Larry Nassar u dënua me deri në 175 vite burg, pasi pranoi fajësinë për abuzime seksuale me gjimnastet, disa të moshës 10 vjeç.

Nassar pranoi fajësinë në nëntor të vitit të kaluar për 10 akuza për sulme seksuale të shkallës së parë. Ai aktualisht po vuan një dënim me 60 vjet burg për pornografi me fëmijët.

Top Channel