Fiks Fare/ Të burgosurit e Spaçit: S’na japin pension si minatorë

01/02/2018 20:44

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes sorollatjet e institucioneve shtetërore në dëm të ish-të përndjekurve politikë, të cilët kërkojnë pension si minator.

Disa të burgosur, që kanë vuajtur dënimin në burgun famëkeq të Spaçit, denoncuan disa institucione, duke filluar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Ministrinë e Drejtësisë, Financave, Institutin e të Përndjekurve, të cilat nuk po koordinohen që të zgjidhin problemin, prej katër vitesh.

Në vitin 1991, qeveria e asaj kohe miratoi një ligj që ish të dënuarit politikë u njiheshin vitet e burgut si vite pune. Nëse një person kishte vuajtur 10 vjet, atij i njihej 20 vite pune.

Nëse të burgosurit kishin vuajtur dënimin në Spaç apo Qafë Bari, merrnin pension si minator. Ligji parashikonte që të dilnin në pension persona mbi 55 vjeç. Dhjetëra të dënuar dolën në pension në atë kohë, ndërsa personat që ishin nën 55 vjeç nuk përfituan.

Në vitin 2014, qeveria miratoi ligjin për minatorët, ku parashikon se nëse është punuar në nëntokë më shumë se 12 vite, përfiton pension të plotë. Ndërkohë, dhjetëra të dënuar në Burgun e Spaçit dhe Qafë Barit, nuk përfitojnë, megjithëse janë mbi 55 vjeç. Arsyeja? Institucionet nuk gjejnë dot dokumentet që të vërtetojnë se ata kanë punuar në nëntokë!

Ankesat e ish të përndjekurve
Në redaksinë e Fiks Fare mbërritën disa ish të përndjekur politikë. Kujtim Kaziu thotë se është arrestuar në 15 maj 1980, me akuzën e agjitacion dhe propagandë. Akuzohej se kishte sharë Enver Hoxhën, me letra në trakte në Fushë Krujë. “Më kanë arrestuar në Përmet, pasi ika te njerëzit e mi. Më mbajtën 1 javë në birucë. Në trakte shkrova; Enver Hoxha të bëhet viti ditë, të mos rrosh sa malet, po sa një mace. Në Spaç shkova në qershor 1980, më çuan në zonën e dytë, ishte minierë bakri. U aksidentova në minierë, theva këmbën” thotë ai, ndërsa tregon një ditë pune. “Zgjimi bëhej në orën 05;00, laheshim dhe hanim mëngjesin. Në 06.30 niseshim në punë, ishte 30 minuta larg, shkonim në këmbë. Po mos të bëje normën, 15 – 20 vagona në ditë, riktheheshim sërish” thotë ai.

Një tjetër ish i përndjekur politikë, Fadil Daja, kujton se është arrestuar më 15 janar 1975. “U akuzova për tradhti ndaj atdheut. Isha ushtar në Kukës. Në moshën 20 vjeçare dezertova dhe ika në Jugosllavi. Shkova në Slloveni në kamp. Prisnim vetëm vendimin për të marrë azil politik për në Kanada. Ishim në Lubjanë. Pas 6 muajsh erdhën dy serbë, na thanë do ju çojmë në një kamp tjetër, po na çuan në Han të Hotit. Na shkëmbyen me tre agjentë serbë me 3 ushtarë që ishim ne. Më dënuan me pushkatim, por ma falën jetën. Më dënuan me 25 vite burg. Qëndrova në burg deri në vitin 1990” thotë ai. Më tej sqaron se burgu i Spaçit ka qenë një minierë e torturave e punës, ku puna ishte me 3 turne.

Agim Akcani thotë se u arrestua në vitin 1975, me akuzën e sabotimit dhe agjitacion dhe propagandë. “Punoja një kooperativë në Baldushk. Ngordhën disa lopë dhe sigurimi formoi një grup diversionistësh. Lopët ngordhën dhe dikush do e pësonte. Dy janë pushkatuar. Dy nga 25 vjet. Ishim 8 vetë te grupi sabotator. Unë në atë kohë isha 21 vjeç. Më çuan në burgun minierë të Spaçit, qëndrova rreth 13 vjet e ca. Burgu ishte një tmerr i vërtetë. Ngriheshim në 5 të mëngjesit, punonim për 8 orë, nëse se bënim normën do riktheheshim përsëri” thotë ai.

I burgosuri tjetër që u ankua te Fiks Fare është Ali Leka. Tregon se u arrestua në vitin 1978. “Isha 26 vjeç. Më akuzuan për ministrinë e Mbrojtjes, Beqir Balluku, sikur kisha thënë me shokë kështu; ‘Nga vjen ujti, nga ulluku, rroftë e qoftë Beqir Balluku’. Në atë kohë të dënoheshin për një gjë të vogël, me opinion. U dënova me 20 vjet. Isha në Spaç, dy vjet në Burrel. Në Burrel thuhej ‘hy dhe s’del’. Pas Spaçit, shkova në Qafën e Barit, po në Minierë. Punova gjatë gjithë kohës në nëntokë. Dola në 1989. Kur dola shkova në Priskë në minierë” thotë ai.

Këta ish të përndjekur, por edhe dhjetëra të tjerë, kërkojnë pension si minator. Sipas tyre, qeveria e vitit 1992, nxori një vendim që të gjithë ish të përndjekurit, mbi 55 vjeç të dilnin minatorë. “Ne në atë kohë, ne ishim nën 50 vjeç. Në vitin 2014 doli një ligj, por kategorinë tonë nuk e ka përfshirë. Tani na thonë institucionet se nuk e njohin burgun-minierë të Spaçit. Nuk e njohin sigurimet shoqërore. Na kërkojnë një vendim që të njihet, kërkojmë statusin e minatorët. Statusi thotë se nëse ke punuar 11 vite e 6 muaj fiton statusin. I bëjmë thirrje qeverisë ta kalojë draftin sa më shpejtë. Janë zhdukur dokumentet, me qëllim” thonë ata.

Sigurimet: Duam dokumente zyrtare
Pas ankesës, Fiks Fare u interesua pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Nëndrejtori Ali Emini thotë se këta ish të përndjekur politikë preken nga ligji i vitit 1991. Sipas tij, parashikohet që, nëse një i dënuar politik ka bërë 10 vite burg, i njihet dyfish kontribute. Legjislacioni i kohës thuhej nëse një i burgosur ka punuar në Qafë Bari dhe Spaç, merrte pension sa paga e minatorët e thjeshtë. “Instituti nuk disponon dokumente për këta persona, ku kanë kryer dënimin. Nuk ka dokumente, jo vetëm për burgun, nuk ka dokument për punën që ka kryer i burgosuri politik. Në vitin 1992 shkruhej se dokumentet jepeshin nga administrata ku vuante dënimin. Ligji thotë se instituti nuk mund ta gjejë, është një institucion që duhet ta japë këtë dokument. Deri në vitin 2002, ka qenë një komision në ministrinë e Rendit, që lëshonte këto dokumente. Tani dokumentacionin mendojmë që duhet të jetë i arkivuar në ministrinë e Drejtësisë, në arkivat e ministrisë së Brendshme. Duhet dikush ta plotësojë. Nuk kemi bazë të dhënash kush ka qenë i përndjekur. Ai duhet të sjellë dokumentin që e ka kryer dënimin me heqje lirie” thotë Emini. Ai mendon se ministria e Drejtësisë, që administron burgjet, duhet të prodhojë një akt që janë të vlefshme, ose një organ tjetër shtetëror. “Duhet të zgjidhet nga ato institucione, që dikush të lëshojë dokumentin e nevojshëm që ka punuar në nëntokë. Komiteti i Ish të përndjekurve dhe ministria e Drejtësisë duhet të gjejnë në arkiva dhe t’i sjellin këtu. Sapo të kemi këtë vërtetim, s’kanë asnjë pengesë të trajtohet me pension” thotë ai.

Fiks Fare u interesua edhe në Institutin e të Përndjekurve Politikë. Kreu i këtij instituti, Bilal Kola, thotë se ka bërë kërkesë dhe ka iniciuar zgjidhjen e këtij problemi. Ai thotë se është në diskutime, por kompetencat e tij nuk janë që të hartojë drafte apo ligje. Një gjë e tillë, sipas tij, duhet ta bëjë qeveria.

Top Channel