Postieri përtac, i gjenden 6 kuintalë letra të padorëzuara

31/01/2018 09:10

Plot 6 kuintalë letra të padorëzuara janë gjetur nga policia italiane në shtëpinë dhe garazhin e një postieri në Vicenza, i cili duket se nuk e kishte me shumë qejf të bënte punën e tij.

Agjentët e policisë ushtruan kontrolle dhe gjetën mijëra letra e pako të padorëzuara, që postieri 56-vjeçar kishte fshehur që prej vitit 2010.

Mes postës së padorëzuar kishte korrespondencë normale, fatura, lajmërime bankash, e të tjera si këto.

Për saktësinë e hetimit, autoritetet thanë se bëhet fjalë për 573 kilogramë postë, sasia më e madhe e materialit postar që është sekuestruar ndonjëherë në historinë e Italisë.

Mësohet se postieri përtac, një pjesë të letrave që duhej të dorëzonte i linte në shtëpi apo në garazh, duke qenë padyshim postieri më i çlodhur në Itali.

Ndaj tij, tashmë janë bërë paditë e para, ndërsa nuk është e qartë se përse i ka ruajtur letrat dhe nuk i ka hedhur, pasi asnjë prej tyre nuk ishte e hapur. Policia italiane tha se, pavarësisht vonesës, e gjithë korrespondenca do t’u dorëzohet njerëzve, te të cilët duhej të kishte shkuar vite më parë.

Top Channel