Kostoja e “Brexit”, dokumenti: Do të ngadalësojë ekonominë

30/01/2018 10:56

Ekonomia britanike do të rritet më ngadalë jashtë Bashkimit Europian, pavarësisht se çfarë marrëveshjeje arrin Londra me Brukselin.

Sipas një raporti konfidencial të qeverisë britanike, të zbuluar nga mediet, analiza e autoriteteve tregon se rritja ekonomike britanike jashtë BE-së do të jetë deri në 8% më e vogël gjatë 15 viteve të ardhshme, në krahasim me skenarin e qëndrimit në BE.

Në dokument shkruhet se, për hartimin e analizës u shqyrtuan skenare të mundshme. Burime qeveritare, me kusht anonimiteti thonë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të jetë më keq, pasi analiza nuk merr parasysh mundësinë e një marrëveshjeje tregtare preferenciale për Londrën, megjithëse Brukseli ka thënë shpesh se Britania nuk mund të zgjedhë atë që dëshiron.

Në analizën e bërë nga Ministria për “Brexit”-in sugjerohet se, çdo sektor i ekonomisë do të goditet dhe çdo krahinë e vendit do të jetë më keq.

Disa konservatorë thonë se raporti nuk është i saktë dhe se asnjë parashikim për “Brexit”-in nuk ka qenë real, ndërsa sugjerojnë se publikimi i tij është bërë me dashje për të krijuar një imazh të keq.

Raporti thotë se rritja ekonomike do të jetë 5% më e ulët, nëse Britania negocion një marrëveshje për tregtinë e lirë, dhe 2% më e ulët nëse do të vazhdojë të aderojë te rregullat e tregut të përbashkët.

Një detaj për t’u theksuar është se, çdo skenar i përllogaritur nga analiza parashikon një marrëveshje të re tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe, pa ndihmën nga përtej Atlantikut, shifrat mund të jenë edhe më të këqija.

Top Channel