Hapet “ProBiznes”, sporteli dedikuar bizneseve

30/01/2018 16:31

Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) çeli pranë ambienteve të zyrës së saj së pritjes në Tiranë sportelin e shpejtë “ProBiznes”, misioni i së cilit është t’u vijë në ndihmë subjekteve tregtare në lidhje me ofrimin e shërbimeve të dedikuara ndaj biznesit.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Zëvendës Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi, Zëvendës Ministrja e Drejtësisë Teuta Vodo, Drejtoresha Ekzekutive e ADISA Anisa Gjika, Drejtori i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elion Semanaj,si dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme në vendin tonë.

Në fjalën e saj, Zëvendës Kryeministrja Mesi, duke u ndalur tek Reforma në Shërbimet Publike si një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë Shqiptare që prej vitit 2014-të, theksoi se ky është një proces rrënjësor i ri-ndërtimit të mënyrës sesi ofrohen shërbimet për qytetarët me një përqasje gjithë-përfshirëse dhe të qendërzuar tek qytetari. “Reforma në fjalë bazohet tek inovacioni dhe përdorimi i teknologjisë së informacionit për të përmirësuar standardet, procedurat dhe mënyrën sesi organizohet ofrimi i shërbimeve. Nga kjo reformë institucioni kampion ështëADISA, Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara”, tha Znj. Mesi.

“Shërbimet e shpejta dhe të dedikuara pro-biznesit (apo Fast Line), për të cilët jemi mbledhur sot, janë një ndër rezultatet konkrete të këtij procesi reformues dhe gjithë-përfshirës. Ne po punojmë që t’i shtrijmë këto shërbime edhe në të gjithë rrjetin e ADISA-s si një paketë shërbimesh e dedikuar për biznesin”,deklaroi Zëvendës Kryeministrja Mesi dhe ndër të tjera shtoi: “Nisur nga kompleksiteti dhe rëndësia e këtij ofrimi të shërbimeve publike, ne jemi duke bërë një rishikim të vazhdueshëm dhe kritik të këtij procesi transformues për të adresuar mësimet e nxjerra, si edhe për të lehtësuar dhe përmirësuar përvojën e përditshme të qytetarit dhe bizneseve me shtetin”.
Ndërsa Anisa Gjika, Drejtoreshë Ekzekutive e ADISA, u ndal tek konceptimi dhe hapja e këtij sporteli të ri nisur nga shqetësimi i subjekteve tregtare në lidhje me kohën e pritjes në sportel dhe zgjatjen e procedurave. “Rezervimi i biletës për të kryer procedura në këtë sportel apo për t’u informuar mbi kartelat e shërbimeve do të bëhet nëpërmjet aplikacionit ADISA Mobile App. Në këtë mënyrë do të reduktohet koha e pritjes së subjekteve tregtare që do të kryejnë aplikime, si dhe numri i personave që presin në radhë për marrjen e shërbimit”, nënvizoi Znj. Gjika.

Me hapjen e sportelit “Pro-Biznes”, po vendoset një standard i ri, inovativ në mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike. ADISA bëri të mundur hapjen e këtij sporteli ku do të procedohet në mënyrë të shpejtë dhe me rezervime të përcaktuara më parë, duke e përshtatur kështu modelin shqiptar të ofrimit të shërbimeve publike me modelet e vendeve të zhvilluara.

Synimi kryesor i ADISA, përveç përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike dhe rritjes së kënaqësisë së qytetarëve, është hapja e sportelit “Pro-Biznes” edhe në qendrat e Integruara të Kavajës, Krujës, Fierit dhe Gjirokastrës duke krijuar kështu lehtësi për të gjitha bizneset dhe qytetarët e qyteteve të tjera.

Top Channel