Policia në Moskë, bastisi zyrat e liderit të opozitës Alexei Navalny në prag të manifestimeve mbarëkombëtare për bojkotimin e zgjedhjeve.
Xhirime të postuara në kanalin zyrtar të opozitarit në “YouTube” tregojnë efektivët teksa hyjnë në ambientet e organizatës antikorrupsion të Navalnit në kryeqytetin rus.
Navalny kërkoi mbajtjen e manifestimeve në të gjithë vendin të dielën kundër zgjedhjeve presidenciale ruse, të planifikuara për në datën 18 mars.
Kritikut më të zëshëm të presidentit Vladimir Putin i është ndaluar të kandidojë në zgjedhje.
Protestat që nuk janë aprovuar nga autoritetet, janë organizuar në më shumë se 100 qytete të Rusisë. Sipas raportimeve, të paktën 27 vetë janë ndaluar deri më tani, përfshirë në zyrat e Navalnit. Në një reagim opozitari tha se bastisja dhe arrestimet i bënin protestat e së dielës edhe më të rëndësishme. Kundërshtari i Putinit postoi gjithashtu në rrjetin social “Tëitter” pamje që tregonin praninë e madhe policore në Moskë, ditën e diel.
Qindra njerëz u mblodhën në sheshin kryesor në qytetin lindor të Rusisë Vladivostok. Manifestime të tjera po mbahen në Novosibirsk, Kurgan, Omsk, Magadan, Kemerovo dhe Yakutsk. Protestat pasojnë presionet disa javore ndaj mbështetësve të Navalnit, që janë përballur me arrestime e burgosje.
Top Channel