Nëse nuk do të çelen negociatat këtë vit për kryeministrin Rama nuk do të jetë humbje për Shqipërinë por për të gjithë rajonin.
Në një intervistë ekskluzive për “Euractiv”, kryeministri shqiptar thotë se pranvera është koha e duhur për çeljen e negociatave dhe nuk dëshiron të mendojë se do të ketë shtyrje.
“As që dua ta mendoj se do të ketë një shtyrje tjetër, thjesht mendoj se është koha e duhur dhe ajo çfarë presim nuk është asgjë më shumë se një rekomandim i drejtpërdrejtë nga Komisioni dhe miratim nga Këshilli Evropian”, ka thënë Rama.
Por gazetari këmbëngul, duke e pyetur nëse do të ketë shtyrje, sa do e dëmtojë kjo Shqipërinë? Por Rama thotë se nëse do të ndodhte do dëmtonte të gjithë rajonin.
“Nuk dua të flas me “nëse” por nëse do të ketë shtyrje, nuk dëmton Shqipërinë, por të gjithë rajonin pasi do të legjitimonte fraksione për shkak të të gjitha vendeve që janë në negociata: Serbia dhe Mali i Zi, dhe vendet që nuk janë ende në negociata, por e meritojnë të nisin negociatat. Dhe ata kanë plotësisht të drejtë të thonë se nuk ka diferenca mes Serbi/Mali i Zi dhe Shqipëri/Maqedoni dhe jemi të lumtur që miqtë dhe fqinjët tanë po negociojnë, por mendojmë se është shumë e padrejtë për Ballkanin të ketë këtë ndarje mes vendeve në negociata dhe atyre që nuk kanë nisur ende, por që e meritojnë atë”, thotë Rama.
Për kryeministrin Rama praktikisht vendet e Ballkanit Perëndimor janë më afër BE që kur Angela Merkel nisi inciativën e Procesit të Berlinit dhe gjërat po shkojnë në rrugën e duhur “dhe ajo çfarë na duhet është të mos humbim asnjë hap”.
Top Channel