“Të paekspozuarit”, emisioni që hodhi dritë mbi abuzimet me “Armo”-n

26/01/2018 14:42

“Të Paekspozuarit”, emisioni i gazetarit Ylli Rakipi nisi sezonin e ri në Top Channel. “Armo, një krim i përbashkët” ishte një temë e nxehtë, me të ftuar të shumtë, që rroku vëmendjen e publikut, për të shënuar një startim të fortë të emisionit në ekranin e të gjithë shqiptarëve.

Një nga temat më të nxehta të kohëve të fundit, Armo dhe borxhet e saj, ishte tema e emisionit të parë në Top Channel të “Të Pekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi. “Armo, një krim i përbashkët” u zgjodh si temë e parë pikërisht për gropën e frikshme financiare por edhe dramën sociale që ka shkaktuar ndër vite.

Dashamir Shehi: “Ky është një abuzim mor, ky është një mashtrim. Siç ishin një mashtrim piramidat, siç janë njëmijë gjëra të tjera. Këtu nuk ka nevojë për analizë, as ekonomike, as politike”.

Andi Bushati: “Po dëgjuat në televizor, vjen një investitor i madh, po vjen një amerikan i shquar, dijeni që mbrapa ka një vjedhje të madhe. Jemi mësuar me këtë histori propagandistike gjithmonë”.

Arlind Qori: “Në rast se ndërmarrja privatizohet ndryshon loja. Nuk vjedhin shumë vetë nga pak, por vjedhin pak vetë nga shumë”.

Panajot Soko: “Qëllimi nuk ishte për ta përdorur siç ajo e kishte destinacionin. Pra ishte një kompani e cila do të prodhonte naftë. Ajo u mor për ta përdorur si një aset koleteral”.

Në emision, ndërhyri në një lidhje telefonike edhe biznesmeni Besnik Sulaj, i cili nuk iu përgjigj akuzave se përse kompania që administronte vëllai i tij, nuk ka paguar detyrimet shtetërore.

Ornela Liperi: “Mungojnë 27 milionë dollarë, këtë po themi. Pse nuk i keni paguar?”

Besnik Sulaj: “Ok. Arsyeja shumë e thjeshtë. Rafineria punon me kapacitet. Që të dale me fitim do, 90 mijë tonë në muaj”.

Ornela Liperi: “Po atë naftën që e ke prodhuar? Për naftën që ke prodhuar, e ke shitur, e ke marrë taksën. Çdo njeri paguan nga 170 lekë që është çmimi i naftës, diku në 100 lekë janë taksa. Këto taksa ju keni derdhur vetëm gjysmën. Gjysmën tjetër pse nuk e keni derdhur?”

“Të Paekspozuarit” do të vijojë të prekë tema të ndjeshme për opinion publik, duke thënë vetëm të vertetën përballë aferave dhe shkeljeve që bëhen në kurriz të qytetarëve.

Top Channel