Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për mbarëvajtjen e protestës së opozitës të shtunën.
Sipas policisë, PD ka kërkuar lejen për protestën që nis në orën 12.00 deri në orën 16.00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Nga ora 10.00 deri në përfundim të protestës nuk do lejohet lëvizja e mjeteve në rrugët e mëposhtme:
– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i rrugës “ Myslym Shyri” deri tek sheshi “Nënë Tereza”;
– Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës “Sami Frashëri” deri tek rruga e “Elbasanit”;
Ndërkaq, duke filluar nga ora 00:00 e datës 27.01.2018, nuk do lejohet parkimi i mjeteve në të gjithë gjatësinë e rrugës “Papa Gjon Pali 2”.
Nga ora 00:00 deri në përfundim të protestës brenda “Unazës së Madhe” nuk do lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, të cilat do të devijohen në rrugë alternative. Gjithashtu do të ketë devijim të trafikut në shumë akse rrugore.
Kufizimet dhe devijimet do prekin edhe linjat e transportit urban qytetas ku autobuzët e “Tiranës së Re” do kthehen tek sheshi “Vvillson”; linja e “Kamzës” do të kthehet tek ish-kafe “Flora”, ndërsa linjat e tjera në varësi të situatës.
Mjetet e transportit të ardhur nga rrethet nuk do lejohen në brendësi të qytetit.
Mjetet që vijnë nga perëndimi, do të lejohen deri tek Pallati i sportit “Asllan Rusi”, Qyteti i Nxënësve, ndërsa ato nga lindja deri tek rrethrrotullimi pranë Fakultetit Ekonomik.
Këto mjete transporti publik, pasi të zbresin qytetarët do të kthehen dhe do të parkohen, në:
• Terminalin pranë “Qytetit Studenti”
• Sheshin “Shqiponja”;
• Rrugën “Teodor Keko”.
Gjithashtu do të ndalohet futja e mjeteve tek Ura e “Paskuqanit” dhe ura e “Babrroit”.
Policia e Shtetit apelon qytetarët të largojnë mjetet e tyre në rrugët e sipërcituara duke ndihmuar dhe lehtësuar qarkullimin. Në të kundërt makinat do të spostohen me mjete ngritëse.
Gjithashtu luten qytetarët të shmangin përdorimin e panevojshëm të automjetit ditën e shtunë në segmentet që lidhin qendrën e qytetit me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për shkak të devijimeve dhe kufizimeve që do fillojnë nga ora 08:00 e mëngjesit deri në përfundim të protestës.
Top Channel