Verifikimi i ekstradimit të Nazerit. Prokuroria e Përgjithshme nuk e dinte për procedimin e Krimeve të Rënda

26/01/2018 22:11

Prokuroria e Përgjithshme e përfundoi verifikimin e ekstradimit të Nazer Seitajt, nga ku doli në përfundim se, Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë nuk ka patur asnjë informacion në lidhje me procedimin penal ndaj shtetasit Nazer Seitaj nga Prokuroria Për Krime të Rënda.

Aktet e vetme që ka disponuar kjo drejtori janë aktet që kanë lidhje me procedurat e ekstradimit të shtetasit Nazer Seitaj në funksion të drejtësisë italiane.

Në një njoftim publik, Prokuroria e Përgjithshme deklaron se Prokuroria e Krimeve të Rënda që hetonte çështjen nuk ka asnjë komunikim me Prokurorinë e Tiranës dhe as me Prokurorinë e Përgjithshme. Ndaj, kërkesa për ekstradim ka shkuar në Gjykatën e Tiranës. Kjo prokurori i ka dërguar informacion vetëm Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Vetëm ky institucion ishte ligjërisht i informuar se mbi Seitajn kishte një masë sigurie arrest me burg për llogari të drejtësisë shqiptare.

Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se, hetimet në Prokurorinë për Krimet e Rënda do të vazhdojnë, duke theksuar se, në procedurën e ekstradimit, të vetmin rol që ka është ai i koordinatorit ndërmjet prokurorive të Shkallëve të Para dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Prokurori i Përgjithshëm Arta Marku, vendosi të regjistrojë në Prokurorinë e Durrësit procedimin penal mbi çështjen për të hetuar rastin, të fillojë hetimin disiplinor për prokurorët që kanë hetuar këtë çështje në të dyja prokuroritë, si dhe t’i kërkojë KL D-së të verifikojë procesin gjyqësor të ekstradimit të zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nëse gjatë gjykimit të çështjes ka shkelje të karakterit procedural.

Ky është ndër rastet e paprecedentë në drejtësinë shqiptare, ku një i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ekstradohet drejt një vendi tjetër pa u hetuar më parë nga prokuroria shqiptare. Procedimi penal ndaj Nezar Seitit ka nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në të njëjtën kohë me procedimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Ndërsa ekstradimi i Seitit u bë të enjten, pikërisht ditën kur prokurori vendosi të zgjasë me 3 muaj të tjerë afatet e hetimit ndaj tij dhe ish-ministrit Sajmir Tahiri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA