Michel Platini vendosi ta rinisë nga Strasburgu, sprintin që synon t’i japë të drejtë në çështjen e shumëdiskutuar të korrupsionit dhe pezullimit, që francezi e konsideron të padrejtë dhe një komplot të FIFA-s.
Ish-presidenti i UEFA-s prezantoi në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, kontestimin e tij për 6 vitet e dënimit, që më pas u reduktuan në 4 të tillë.
“Le Roi” vuajti problemet me Etikën pas një pagese thuajse dy milionë euroshe të marrë nga Sepp Blatter, me mediet europiane që vazhdojnë të këmbëngulin se zvicerani “mbyti” bashkë me veten edhe ish-sulmuesin e njohur, për të mos e lënë ta pasonte në FIFA.
“Ky apelim është çështje nderi. Mund të prisja përfundimin e pezullimit, por unë dua drejtësi. Jam akuzuar për falsifikim, për korrupsion dhe riciklim parash, por asnjë nga këto nuk është faktuar. Janë vetëm shpikje për të finalizuar një komplot të një organizate, që donte të më eliminonte nga Presidenca, sepse kërcënova t’i hiqja privilegjet”, tha Platini.
Ish-presidenti i UEFA-s synon të nxjerrë në pah faktin, që institucioni më i lartë i futbollit në botë nuk ka respektuar parimet e një procesi të drejtë. Në shënjestër të Platinisë janë personazhe që luajtën një rol kyç në rrëzimin e francezit, si Vanessa Allard, që ndërtoi dosjen për Komitetin e Etikës, si dhe Andreas Bantel, zëdhënës i Dhomës hetuese të Komitetit në FIFA.
Top Channel