Shkencëtarët kinezë kanë klonuar majmunët, duke përdorur të njëjtën teknikë me atë që nxori në dritë delen “Dolly”, dy dekada më parë, duke kapërcyer kështu një pengesë teknike që mund të hapë dyert edhe për klonimin e njerëzve.

Zhong Zhong dhe Hua Hua janë dy majmunët identikë të lindur 8 dhe 6 javë më parë, gjë që i bën ata primatët e parë që klonohen nga një qelizë jo embrionale.

Kjo u arrit përmes një procesi të quajtur “transferim bërthamor somatik” i qelizave, që përfshin transferimin e bërthamës së një qelize, që mban edhe ADN-në në një vezë, bërthama e së cilës është hequr.

Kërkuesit në Akademinë kineze të Shkencave në Shangai thanë se, puna e tyre duhet të jetë një ndihmë e konsiderueshme për kërkimet mjekësore, duke hapur udhën për studime të sëmundjeve në popullatat e majmunëve gjenetikisht të njëjtë.

Por, ajo afron edhe më shumë klonimin me specien tonë.

“Njerëzit janë primatë, ndaj për klonimin e species së primatëve, përfshirë njerëzit, barriera teknike tani është kapërcyer”, thotë një nga ekspertët që ishte pjesë e programit.

“Arsyeja përse ne e shembëm këtë barrierë është të prodhojmë më shumë modele kafshësh të dobishme për mjekësinë dhe shëndetin njerëzor. Nuk ka asnjë qëllim që kjo metodë të aplikohet edhe te njerëzit. Kafshët gjenetikisht identike janë të dobishme në kërkime, për shkak se ofrojnë mundësinë për të krahasuar varietetin gjenetik, ndërkohë që te kafshët jo të klonuara eksperimentet mund të komplikohen. Klonet mund të përdoren për të testuar ilaçe të reja, për një varg sëmundjesh, para përdorimit klinik”.

FOTO GALERI
1/4
Delja Dolly, e fotografuar në vitin 2002

Top Channel