Komisioneri europian i Zgjerimit, Johannes Hahn e përshëndeti takimin e kryeministrit grek, Alexis Tsipras, me homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev, në Davos të Zvicrës, duke kujtuar se zgjidhja e ngërçit të emrit, e zgjatur prej vitesh tashmë, do të ishte pozitive jo vetëm për të dyja vendet e interesuara, por për të gjithë rajonin dhe Europën.

“Ky takim mes Tsiprasit dhe Zaevit është lajm shumë i mirë. Tregon guxim, vizion dhe aftësi të mëdha politike”, shkroi zyrtari i lartë i BE-së në profilin e tij në “Twitter”.

Takimi i parë mes dy krerëve të qeverive u zhvillua të mërkurën në resortin zviceran të skive, ku ndodhen për samitin vjetor të ekonomisë globale.

Përballja, që zgjati 3 orë, erdhi si rezultat i uljes së tensioneve mes shteteve fqinje lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë.

Greqia nuk e njeh Republikën e Maqedonisë në këtë formë, për shkak të një rajoni që mban të njëjtin emër në veri të saj, ndërsa i ka vlerësuar si synime irredentiste politikat e Shkupit për emërtimin e rrugëve dhe institucioneve në bazë të historisë dhe figurave antike.

Por, shkrirja e akujve duket ka nisur, gjë që u dëshmua qartë edhe nga vendimi i Zaevit për ta ndryshuar emrin e Aeroportit të kryeqytetit maqedonas, nga “Aleksandri i Madh” në “Miqësia”, e kështu do të riemërtohet edhe pjesa e autostradës nga Shkupi për në aeroport.

Ndërkohë, kryeministri grek Alexis Tsipras theksoi nevojën e zgjidhjes me anë të “Erga Omnes”, apo një emër të përgjithshëm, i cili të jetë edhe për përdorim të brendshëm, edhe të jashtëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA