Është një ndër pullat më të shtrenjta të emetuara nga Posta Shqiptare me vlerë 2.500 lekë të reja, një çmim që rastësisht lidhen me simbolikën e kësaj pulle, pasi të Dhënat Personale dhe Mbrojtja e tyre janë të shtrenjta dhe duhen mbrojtur si të tilla.
Por pavarësisht vlerës, pulla e emetuar me rastin e Ditës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale, nuk do të përdoret vetëm nga koleksionistët. Përdorimi i saj do të gjejë vend kryesisht në dërgimin e pakove jashtë kufijve, të cilat do të kapin një peshë të caktuar.
“Çdo 28 janar që është Dita Europiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, të gjitha autoritetet e mbrojtjes së të dhënave zhvillojnë aktivitete. Gjykuam që një nga mënyrat për të realizuar një aktivitet me rastin e 28 janarit do të ndikonte edhe në një prej detyrave që ka të bëjë me ndërgjegjësimin e qytetarëve do të ishte edhe emetimi i një pulle postare”, thotë Besnik Dervishi, komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Autori i pullës, Artion Baboçi, i shpallur fitues nga një komision i posaçëm, preferon që të flasë përmes punës së tij e jo përmes kamerës.
Një dryn në Europën e lirë, që kyç një shenjë gishti, të dhënat në telefon, email dhe në profilet sociale: Facebook e witter, sepse në epokën e teknologjisë virusi është gjëja më normale që kërcënon të dhënat tona.
“Ne nuk po e prezantojmë më 28 janar, sepse është një pullë për të qenë një pullë, por sepse mendoj që pikërisht kjo pullë përfaqëson atë çfarë duhet të tregojë. Simbolet që shihen në pullë krijojnë konceptin e mbrojtjes së të dhënave personale”, tha Dervishi.
Prezantimi për publikun i kësaj pulle do të bëhet më 28 janar në GKA.
Top Channel