Tregtia e armëve, debat në Gjermani për eksportet në Turqi

24/01/2018 10:36

Politikanë gjermanë kanë reaguar ashpër ndaj njoftimeve se, në betejën e Ankarasë kundër kurdëve në veri të Sirisë po përdoren tanke të prodhuara në Gjermani.

Kjo e fundit e ka furnizuar aleaten e saj të NATO-s me qindra tanke, por fotografitë e qarkulluara së fundi tregojnë sesi disa prej tyre janë duke u përdorur kundër kurdëve, gjë që ngjalli indinjatë të thellë e bëri që Berlini zyrtar të përballet sot me thirrjet për t’i dhënë fund eksportit të armëve drejt Ankarasë.

Qeveritë e ndryshme gjermane e kanë furnizuar Turqinë që prej viteve ’80, me mbi 750 tanke “Leopard” të tipit 1 dhe 2. Në ofensivën e tij, ekzekutivi turk ka si objektiv njësitë kurde të mbrojtjes popullore “YPG”, aleate të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tërbimi i Turqisë nuk është mjaftuar vetëm me përdorimin e tankeve luftarake, por pozicionet e “YPG”-ve janë bombarduar edhe nga ajri. Pas vitit 2016, ky është marshimi i dytë i trupave turke brenda territorit sirian.

Dy vite më parë, aksioni argumentohej me luftën kundër Shtetit Islamik. Pretendimet se në fushëbetejë kanë zbritur edhe tanket “Leopard” vijnë vetëm dy javë, pasi ministrat e Jashtëm të të dy vendeve u zotuan për një përmirësim të marrëdhënieve dypalëshe, të cilat kanë pasur një përkeqësim të ndjeshëm vitet e fundit.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel