Lajmi i parë i rremë? Papa Françesku: Gjendet në Bibël

24/01/2018 16:19

Papa Françesku denoncoi taktikat hileqare të atyre që shpërndajnë lajme të rreme, e tha se rasti i parë i keqinformimit është në Bibël, kur Eva tundohet nga gjarpri për të ngrënë frutin e ndaluar.

“Ky episod tregoi pasojat e rënda që mund të kenë lajmet e rreme”, shkruan Papa në një dokument, ndërsa shtoi se “këto lajme sjellin përhapjen e arrogancës dhe urrejtjes”.

Papa nxiti përdoruesit e medieve sociale dhe gazetarët që të demaskojnë taktikat manipulative që shkaktojnë ndarje.

Dokumenti i titulluar “E vërteta do t’iu çlirojë – Lajmet e rreme dhe gazetaria për paqen”, shënon herën e parë që Papa shkruan për këtë temë.

Edhe kreu i Vatikanit nuk ka mundur të qëndrojë larg diskutimit sesi duhet ndaluar përhapja e lajmeve të rreme në mediet sociale.

“Përhapja e lajmeve të rreme mund t’u shërbejë qëllimeve të caktuara, ndikimit te vendimet politike apo interesave ekonomike”, shkruan Ati i Shenjtë.

Duke i krahasuar lajmet e rreme me gjarprin e Biblës, Papa Françesku thotë se duhen zbuluar ata që përdorin taktikat hileqare të atyre që fshihen dhe mund të sulmojnë në çdo kohë.

Papa theksoi rëndësinë e rolit të gazetarëve në këtë çështje, duke i quajtur ata mbrojtësit e lajmeve, që nuk kanë thjesht një detyrë, por një mision.

Top Channel