Jo vetëm bamirësi, gazetarja zbulon skandalin seksual

24/01/2018 12:10

Kryetarja e Komisionit parlamentar të Grave dhe të Drejtave të Barabarta në Britani, Maria Miller kërkoi forcimin e aktit të barazive pas skandalit të mbrëmjes së bamirësisë të klubit të presidentëve, ku pranoheshin vetëm meshkuj e merrnin pjesë figura të larta të biznesit e politikës, e ku kamarieret ngacmoheshin hapur nga të ftuarit.

Gazetarja e “Financial Times”, Madison Marriage ishte hequr si një prej 130 vajzave të punësuara për të shërbyer në këtë event dhe, siç rrëfeu më pas, e kishin paralajmëruar që në fillim se meshkujt aty brenda “mund të bëheshin pak të bezdisshëm”.

Por, Madison thotë se kjo ishte fjala më e butë që mund të përdorej për rastin në fjalë. Reporterja rrëfen se është ngacmuar keqas disa herë. Në ceremoninë e përvitshme marrin pjesë 360 të ftuar, ndër të cilët bankierë, sipërmarrës e yje të ekranit.

Eventi përfshin edhe organizimin e një ankandi, që synon grumbullimin e parave për bamirësi. Por investigimi i “Financial Times” shikon përtej fasadës.

Vajzave që shërbejnë atje, – siç tregoi gazetarja Marriage, – nuk u duhet të durojnë vetëm prekjet me duar. Ato marrin edhe ftesa për t’iu bashkuar pjesëmarrësve më vonë në dhomat e tyre të hotelit.

Një prej këtyre vajzave i tregoi “Financial Times” sesi një prej burrave në sallë kishte ekspozuar përpara saj pjesët e tij intime. “Për një punë të tillë nuk përzgjidhesh dot, nëse nuk përmbush kriteret: e gjatë, e hollë dhe e bukur”, vazhdon ajo.

Të punësuarave u kërkohet madje të mbajnë të mbathura të zeza, për t’i kombinuar me fundet e shkurtra e të zeza që u jepeshin si pjesë e uniformës së mbrëmjes, gjë që bën të mendohet se organizatorët e dinin fare mirë çfarë ndodhte aty brenda.

Top Channel