Në Davos të Zvicrës vazhdon për më shumë se 3 orë takimi i shumëpritur midis kryeministrave Tsipras dhe Zaev për çështjen e emrit.

Pasi kanë biseduar vetëm për vetëm për mëse dy orë, në takim kanë hyrë edhe ministrat e Jashtëm Nikos Kotzias dhe Nikola Dimitrov.

Pas mitingut madhështor në Selanik, ditën e diel, siç edhe theksojnë qarqet politike në Greqi është shtuar presioni mbi qeverinë greke dhe rezultatet e këtij takimi do të tregojnë se çfarë rruge do të marrin zhvillimet politike në Greqi, por edhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Dy kryeministrat duan të shqyrtojnë dhe zgjerojnë mundësitë e një konvergjence historike, përsa i përket emërtimit të ri të fqinjit verior të Greqisë, si dhe për çështjet e tjera që lidhen me kombin dhe gjuhën, e që ndajnë dy shtetet për gati 3 dekada.

Siç theksojnë burimet qeveritare, pala greke ka vënë në dukje se, që kur ka marrë qeverisjen e vendit, Zaev ka treguar gatishmëri për të filluar negociatat dhe për të kontribuar në kërkimin e një zgjidhjeje të pranueshme reciprokisht për emrin, një qëndrim ky i kundërt i krahasuar me irredentizmin e shprehur nga paraardhësit e tij.

Pak më parë u bë e ditur se negociatori i OKB-së për çështjen e emrit, Matthew Nimetz do të udhëtojë për në Shkup më 31 janar, e në datën 1 shkurt do të ketë takim me kryeministrin Zaev dhe ministrin e Jashtëm Dimitrov.

https://www.facebook.com/tsiprasalexis/videos/10156154539718054/

Top Channel