Elita globale zbarkon në Davos, demonstrata kundër Trumpit

24/01/2018 09:52

Elitat globale kanë zbarkuar në Davos të Zvicrës me besim të shtuar. Rritja ekonomike e vënë re anembanë botës u ka dhënë krahë krerëve të biznesit, përballë shqetësimeve që nisin nga ngërçet gjeopolitike, sulmet në rrafshin kibernetik, zhvillimet e lidhura me ndryshimin e klimës dhe ato që “The Guardian” i cilëson “katastrofat me potencial destabilizues”, që përbëjnë epokën e Donald Trumpit.

Që presidenti amerikan do të ishte shkas për trazira në resortin zviceran të skive, kjo ishte paralajmëruar. Rreth 2000 vetë demonstruan kundër tij në Zurich, e qindra të tjerë kanë marshuar në sheshet publike të Gjenevës, Lozanës dhe Friburgut.

Demonstruesit mbanin në duar pankarta me parulla kundër globalizimit, por edhe të tjera që lidheshin me mjedisin, siç ishte shkrimi “Jo Trump, jo qymyrguri, jo gaz, jo karburante fosile”.

Një grup tubuesish arriti madje të thyente edhe një kordon sigurie në Davos, ku protestat janë të ndaluara rreptësisht. Vet shefi i Shtëpisë së Bardhë do të mbërrijë atje të premten, kur do të mbajë edhe një fjalim të shumëpritur nga pjesëmarrësit e eventit, kureshtarë sa më s’ka nga ato që ka për të thënë në takimin prestigjioz presidenti kontrovers, udhëheqës i ekonomisë më të madhe të globit.

Forumi vjetor i Ekonomisë Botërore u çel të hënën, por shumë nga 3.000 delegatët e patën të vështirë të mbërrinin atje për shkak të borës së madhe. Pjesë të linjës kryesore hekurudhore ishin mbuluar nga bora, duke i detyruar delegatët të lëviznin drejt Davosit me autobusë dhe helikopterë.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel