Tarifat e reja nga SHBA, Pekini e Seuli do t’i “luftojnë”

23/01/2018 17:36

Kina dhe Koreja e Jugut u zotuan se do të mbrojnë të drejtat e tyre, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa të reja ndaj lavatriçeve dhe paneleve diellore.

Tarifat, që kanë pësuar rritje deri në 50%, godasin këto dy vende aziatike më shumë se këdo tjetër. Ato janë pjesë e politikës tregtare “Amerika e para” e presidentit Trump, e cila synon të mbrojë prodhuesit vendas nga konkurrenca e huaj.

Koreja e Jugut tha se do të ankohet tek Organizata Botërore e Tregtisë për këtë vendim të Shteteve të Bashkuara. Prodhuesit e saj më të mëdhenj, si “Samsung” apo “LG” deklaruan se, në SHBA do të penalizohen konsumatorët, pasi do të përballen me çmime më të larta dhe më pak mundësi zgjedhjeje.

Në të njëjtin kuadër u shpreh edhe Kina, prodhuesi më i madh në botë i paneleve diellore, e cila tha se vendimi amerikan ishte një masë e tepruar, ndërsa Pekini u zotua se do të punojë me anëtarët e tjerë të OBT-së për të mbrojtur interesat e saj të ligjshme.

Vendimi amerikan u mor pasi autoritetet dolën në përfundimin se importet e lira po dëmtonin prodhuesit vendas. Ndërsa tarifat e reja mbi shumicën e produkteve duket se do të prekin xhepat e konsumatorëve, ambientalistët janë ankuar specifikisht për ato mbi panelet diellore, duke thënë se shtrenjtimi i tyre do të frenojë zhvillimin e energjisë së rinovueshme në vend.

Top Channel