Shorti i Ligës së Kombeve, “shpëtimtarit” të ndeshjeve miqësore

23/01/2018 18:24

Kompeticioni më i ri i UEFA-s është cilësuar si “shpëtimtari” i ndeshjeve miqësore në futbollin kontinental, duke i dhënë një nivel të lartë konkurrence.

Por, Liga e Kombeve do t’i shpërndajë përfaqësueset bazuar në koefiçentin europian, do të ketë promocion dhe zbritje nga divizionet përkatëse, e gjithashtu, turneu do të shërbejë si rrugë për kualifikimin në “Euro 2020”.

Përballë fuqizimit gjithmonë e në rritje të klubeve dhe dëshirës për të mos lëshuar yjet e tyre në miqësore pa vlerë, UEFA mendoi pikërisht këtë format për të shtuar konkurrencën dhe atë çfarë është në lojë, si dhe për të bindur futbollistët se Kombëtarja është gjithmonë krenari.

Në shortin e kësaj të mërkure, në Lozanë të Zvicrës, Shqipëria do të bëjë pjesë në divizionin C, në bazë të rezultateve të marra në kualifikueset e fundit të Botërorit. Kuqezinjtë do të jenë në vazon e dytë të këtij divizioni, ku bëjnë pjesë Greqia, Serbia dhe Norvegjia.

Divizioni A do të përbëhet nga 4 grupe me nga 3 skuadra; divizioni B do të ketë 4 grupe me nga 3 skuadra; ndërsa divizioni D do të ketë 4 grupe me nga 4 skuadra.

Në divizionin A bëjnë pjesë kombëtaret më të mira europiane, ndërsa në divizionin D janë skuadrat më të dobëta. Fituesit e çdo divizioni do të kenë mundësi të kualifikohen drejtpërdrejt në Europianin e vitit 2020.

Skuadrat që renditen në fund të divizioneve A, B dhe C, zbresin një divizion më poshtë, ndërsa ato që janë fitueset e divizioneve D, C dhe B, ngjiten përkatësisht në divizionin pararendës.

Vetëm në muajin shtator, tifozët shqiptarë do të arrijnë të shohin përballjet e para të kuqezinjve, ndërsa faza finale do të luhet në qershor të vitit 2019, në një vit kur nuk ka as Europian dhe as Botëror.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel