Dhjetëra miliona euro evazion fiskal në 4 vite. Këtë radhë, ajo që nuk ka paguar atë që i detyrohet arkave të Madridit është këngëtarja kolumbiane Shakira, bashkëshorte e futbollistit katalanas Gerard Pique, që akuzohet për mashtrim nga Agjencia e Tatimeve për periudhën nga viti 2011 në 2014-n.

Sipas të përditshmes spanjolle “La Vanguardia” bëhet fjalë për vite, gjatë të cilave këngëtarja jetonte në Spanjë, ku sidoqoftë nuk kishte ende rezidencë zyrtare.

Sipas inspektorëve të Tatimeve, edhe në atë periudhë, Shakira kishte qëndruar në Barcelonë për më shumë se 183 ditë në vit, e si pasojë kishte detyrimin të paguante taksa në vend.

Ata që punojnë me Shakirën flasin për një ndryshim kriteresh vlerësimi, e jo për mashtrim me taksat. “Është përdorur një teknikë e ndryshme”, thonë avokatët.

Fitimet e yllit vijnë kryesisht nga koncerte të mbajtura jashtë vendit, por Tatimet spanjolle pretendojnë se taksat për atë periudhë Shakira duhet t’ia paguante Madridit.

Sipas revistës “Formes”, nga viti 2010 deri në 2015-n, Shakira ka fituar rreth 25 milionë euro në vit nga turet e saj jashtë vendit. Shumë fansa të këngëtares pretendojnë se bëhet fjalë për një hakmarrje të Tatimeve spanjolle.

Bashkëshorti i Shakirës, Pique kishte mbështetur hapur kauzën e separatistëve katalanas, duke votuar në referendumin e shpallur të paligjshëm. Tani, sidoqoftë, çështja ka mbërritur në Prokurori. Akuza mundet gjithsesi t’i kushtojë shtrenjë këngëtares kolumbiane, që rrezikon përveç një gjobe të kripur, edhe dy vite burg.

Me superstaren amerikano-jugore zgjatet kështu edhe më shumë lista e personave të famshëm të mbërthyer në rrjetën e inspektorëve spanjollë të taksave. Në të shkuarën kanë dalë edhe emrat e Leo Messit, Cristiano Ronaldos, Jose Mourinhos, etj..

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA