Masakër në një restorant në SHBA, tre të vrarë dhe shtatë të plagosur nga sulmi me armë zjarri Vladimir Putin nuk lë rast pa treguar se po sfidon vitet me fizikun e tij, e festën e “Ujit të bekuar” e kremtoi me një zhytje në ujërat e ngrira të liqenit Seliger, rreth 400 km në veri të Moskës, si pjesë e ritualit të krishterë ortodoks që kujton pagëzimin e Jezu Krishtit.
Pasi hoqi pallton dhe çizmet, udhëheqësi 65-vjeçar i Rusisë hyri në minipishinën e improvizuar në brigjet e liqenit, bëri shenjën e kryqit dhe zhyti kokën në ujin e akullt. Temperatura e ajrit ishte 6 gradë nën zero.
Ceremonia u zhvillua pasi Putin kishte përfunduar një udhëtim në Shën Pjetërburg dhe në rajonin e Leningradit, i pasuar ky edhe nga një vizitë në Manastirin e Shën Nilus Stolobenskyt.
Zhytja e shefit të Kremlinit përbën të parën herë që ai zhvishet pjesërisht në publik. Gushtin e vitit të kaluar, Putin u fotografua me bustin e zhveshur, por në atë rast ishte në varkën e vet duke peshkuar, e një foto e ngjashme e tij ishte shkrepur në 2009-n, ndërsa kalëronte në një vendpushim.
Ditën e “Ujit të bekuar”, besimtarët ortodoksë hidhen në lumenj apo liqene për të kremtuar pagëzimin e Jezuit në lumin Jordan nga Gjon pagëzori.
Putini, që në zgjedhjet e 18 marsit do të kërkojë një mandat tjetër presidencial, është rritur në regjimin komunist, i cili e ndrydhte besimin, megjithatë ai vet, që prej vendosjes në krye të shtetit është shfaqur si frekuentues i rregullt i ceremonive ortodokse ruse dhe i ka dhënë Kishës një zë më të fortë në shoqëri.
Top Channel